Please enter at least 3 characters.

Hekurudhat në veri, në duart e politikës

2016/01/hekurudhat-n-euml-veri-n-euml-duart-e-politik-euml-s_hd.jpg

Një anëtar i Bordit Ekzekutiv të Hekurudhave të Serbisë në veri të Mitrovicës, i cili deshi të mbetet anonim, ka thënë për KosovaPress se që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, shteti i Serbisë ka marrë kontrollin mbi infrastrukturën hekurudhore, përkatësisht linjën Leshak-Leposaviq-Sllatinë e Ibrit-Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.

Sipas tij, që prej atëherë është hapur stacioni hekurudhor ‘Mitrovicë e Veriut’ dhe ka filluar transporti i rregullt për qytetarët dhe mallra në relacionin Kralevë – Mitrovicë e Veriut.

“Ky tren qarkullon rregullisht dy herë në ditë, në të dyja drejtimet, dhe sipas orarit të përpiluar në mes të ‘Zeleznica Srbije’ dhe qeverisjes lokale në veri të Mitrovicës. Unë porosis qytetarët të cilët jetojnë këtu, se në përputhje me politikën e qeverisë së Serbisë, jemi duke u përpjekur maksimalisht që popullata e këtushme të ndjehet sa më mirë. Kjo linjë do të thotë shumë jo vetëm për qytetarët e Mitrovicës, por edhe për vëllezërit tanë që jetojnë në jug të Ibrit, sepse udhëtimi i tyre në drejtim të Serbisë qëndrore, por edhe të kryeqytetit (Beogradit), do të jetë më i lehtë dhe më i lirë”, ka thënë ai.

Ai sqaroi se treni nga Kraleva për në Mitrovicë niset çdo ditë në ora 6:55 (arrinë në 10:28) dhe në 14:45 (arrinë 18:18), ndërsa nga stacioni i Mitrovicës Veriore udhëton po ashtu çdo ditë nga ora 10:39 (arrinë në 14:15) dhe 18:29 (arrinë në 22.05).

Sipas tij, aftësimi i hekurudhës Zveçan – Mitrovicë Veriore ka kushtuar rreth 40 mijë euro, ndërsa është investuar edhe në stacionet Leshak, Leposaviq, Magjistralja e Ibrit, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, duke përfshirë këtu adaptimin e objekteve (pritoreve) dhe arkat, pastaj ndriçimin e peroneve etj.

Ndërkaq, për analistët kosovarë, treni i kompanisë së hekurudhave të Serbisë, ‘Zeleznice Srbije’, e cila ka në pronësi dhe operon me trena, është një ndërhyrje ilegale në territorin e një shteti. “Ky tren është përtej kontrollit të autoriteteve të Hekurudhave të Kosovës”, ka thënë për KosovaPress analisti Nexhmedin Spahiu.

Ai e quan shërbimin e ri të trenit në Mitrovicë si “intervenim ilegal” dhe thotë se mund të cenojë përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Edhe pse një shërbim treni i udhëhequr nga Serbia ka operuar në veriun e Kosovës që nga 2008-ta dhe asnjë përpjekje nuk është bërë për ta ndaluar atë, Spahiu thotë se “pa zbatimin e marrëveshjeve aktuale, pala kosovare nuk duhet të vazhdojë dialogun.”

Mirëpo, Kosova edhe në pjesën jugore të saj nuk ka dëshmuar se i jep prioritet kësaj infrastrukture të rëndësishme, pasi nuk ka shembull të mirë që t’i tregoj askujt se mund t’i menaxhojë hekurudhat e veriut më mirë. Përveç jugut të qytetit të Mitrovicës, edhe qytetet tjera si Prishtina, Peja, etj nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim. Nuk vërehet shumë të jetë investuar në këtë fushë nga ana e shtetit dhe hekurudhat më shumë i ngjajnë vendeve po thuajse të braktisura.

Lidhur me gjendjen e hekurudhave, ka folur zëdhënësi i Trainkos, Valon Murseli, i cili tha se hekurudhat megjithatë kanë pasur investime kryesisht në mbajtjen e gjendjes ekzistuese, pastaj në mirëmbajtjen rutinore të infrastrukturës hekurudhore, dhe investimet janë sjellur rreth 1.5 milion në vit. “Këto investime të cilat kanë ardhur nga Qeveria e Kosovës sigurisht nuk kanë mjaftuar për të zhvilluar ndonjë segment infrastrukturor të ri të hekurudhave ose për ndonjë investim më kapital dhe kjo është situata deri tani”, ka thënë Murseli. /Telegrafi/