Hebrenjtë dhe Izraeli nuk janë e njëjta gjë, barazimi i tyre është një teknikë propagandistike
Norman Solomon
Nga: Norman Solomon / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Më shumë se nëntë muaj pasi Amnesty International dhe Human Rights Watch publikuan raportet që konkluduan se Izraeli është duke kryer gjenocid - dhe më shumë se një muaj pasi grupet kryesore izraelite për të drejtat e njeriut pohuan të njëjtën gjë - establishmenti politik amerikan vazhdon të qëndrojë në një mohim të ngurtë, ndërkohë që tmerret në Gazë nuk po ndalen. Pothuajse të gjithë republikanët dhe shumica e demokratëve në Kongres ende mbështesin dërgesat masive të armëve amerikane për Izraelin, ndaj sigurisht që nuk mund të pranojnë se këto armë po e bëjnë të mundur gjenocidin.
Në qendër të arsyetimeve për armatosjen e Izraelit qëndron pretendimi se ai është kombi i “popullit hebre”.
Kur sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, foli përmes videos në një konferencë në Jerusalem, tre muaj më parë, ai deklaroi: “Nuk mund të ketë ndarje të nuancuar mes urrejtjes ndaj Izraelit dhe urrejtjes ndaj hebrenjve”. Rubio shtoi: “Ata që bëjnë thirrje për shkatërrimin e Izraelit, po bëjnë thirrje për shkatërrimin e hebrenjve”. Muajin e kaluar, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, përforcoi të njëjtin mesazh gjatë një vizite në Izrael, ku raportohet se ka thënë se Bregu Perëndimor është “pronë legjitime e hebrenjve”.
Kjo retorikë - që barazon Izraelin me të gjithë hebrenjtë dhe të ardhmen e Izraelit me atë të tyre - është një përpjekje për ta shenjtëruar Izraelin dhe për ta mbrojtur nga kritikat duke e paraqitur çdo kundërshtim si antisemitizëm.
Bashkimi i Izraelit me “popullin hebre” është teknikë kyçe propagandistike. Fakti që është kaq i përhapur nuk e bën më pak qesharak apo të rrezikshëm. Këtu përshtatet një thënie që i atribuohet Volterit: “Sa kohë që njerëzit besojnë në absurditete, ata do të vazhdojnë të kryejnë mizori”.
Dhe, mizoritë vazhdojnë pa e parë fundin në horizont. Izraeli ka vazhduar me vrasje sistematike - dhe qartazi të qëllimshme - të civilëve palestinezë, jo vetëm me bomba, raketa dhe plumba, por edhe me urinë si armë lufte. Bllokimi apo kufizimi ekstrem i ndihmës humanitare ka qenë normë. Gjatë gjithë verës, Izraeli ka injoruar paralajmërimin e Kombeve të Bashkuara, të bërë në qershor, që tregonte se konsumi i ushqimit në Gazë kishte rënë shumë poshtë nivelit të “mbijetesës”. Atëherë, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq kishte thënë se kushtet atje ishin më keq se “ferri në Ttokë”.
Ironikisht, vendi që na thuhet se është shënjestra përfundimtare e antisemitizmit është tani, në realitet, shkaktari më i fuqishëm i antisemitizmit në botë. Duke këmbëngulur se është mishërimi i hebrenjve kudo në botë, shteti i Izraelit përpiqet të lidhë hebrenjtë, kudo që janë, me krimet sistematike të luftës dhe me gjenocidin në Gazë - së bashku me spastrimet vdekjeprurëse etnike të palestinezëve në Bregun Perëndimor.
Qeveria izraelite, e vlerësuar nga një numër gjithnjë e më i vogël amerikanësh, e ngatërron veten me judaizmin dhe “popullin hebre” në një model marketingu aq të zakonshëm saqë është bërë si pjesë e sfondit të jehonave në dhomat mediatike. Thelbi i mesazheve pro-Izrael është promovimi i një sërë barazimesh të rreme: Izraeli = hebrenjtë. Mbështetja për Izraelin = mbështetje për hebrenjtë. Dënimi i Izraelit = antisemitizëm. Dhe, një nëntekst funksional i këtyre barazimeve është ky: Qeveria izraelite = e pandëshkuar.
Gjatë viteve ’80 të shekullit XX, kur aktivistët në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë kishin në shënjestër Afrikën e Jugut nën aparteid, me fushatat paqësore për bojkot, tërheqje investimesh dhe sanksione, këto veprime nuk i ngjallën akuzat për qëndrime anti-të bardha. Në këtë shekull, lëvizja paqësore për Bojkot, Tërheqje Investimesh dhe Sanksione (BDS) ka pasur në shënjestër Izraelin, një vend që është dënuar si shtet aparteid - nga njëra organizatë pas tjetrës për të drejtat e njeriut - dhe mbështetësit e BDS-it, madje edhe kur janë hebrenj, përballen rregullisht me akuzat për antisemitizëm. Në Kongres, akuzuesit përfshijnë shumë demokratë liberalë. Komiteti Hebraik Amerikan është një nga shumë grupet e mëdha që prej kohësh deklarojnë prerazi se “BDS-ja është antisemite”.
Gjashtë dekada më parë, kur si fëmijë shkoja në shkollën hebraike, nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që feja hebraike dhe respekti për Izraelin do të manipuloheshin kaq shumë. Kur u kërkoja fqinjëve të fusnin monedha në një kuti të kaltër e të bardhë, që të mbilleshin më shumë pemë në Izrael, nuk e kisha idenë se qeveria izraelite do të vriste, gjymtonte dhe terrorizonte pa mëshirë civilët palestinezë në emër të mbrojtjes së hebrenjve. As që më shkonte në mendje se dinjiteti dhe shpirtërorja e judaizmit do të shtrembëroheshin dhe përdhoseshin nga Izraeli përmes politikave të gjenocidit.
Një nga ligjet themelore të Izraelit, i miratuar në vitin 2018, thotë: “Shteti i Izraelit është atdheu kombëtar i popullit hebre”, duke shtuar: “E drejta për të ushtruar vetëvendosje kombëtare në shtetin e Izraelit i përket vetëm popullit hebre”. Ky është kodifikimi i pohimeve standarde nga qeveria izraelite dhe nga mbështetësit e saj të zjarrtë të cilët bëjnë gjithçka që munden për të rrëmbyer judaizmin - duke pretenduar se flasin në emër të të gjithë hebrenjve të botës, pavarësisht nëse u pëlqen ose jo.
Por, gjithnjë e më shumë nuk po u pëlqen. Sondazhet tregojnë një kundërshtim të madh ndaj politikave thelbësore izraelite mes hebrenjve në ShBA.
Shumë shpesh, zyrtarët e qeverisë amerikane e përforcojnë idenë e pakuptimtë se Izraeli është garantuesi i sigurisë për hebrenjtë në mbarë botën. Duke folur në një festë të Hanukahut në Shtëpinë e Bardhë, në dhjetor të vitit 2023, ish-presidenti Joe Biden tha: “Po të mos ekzistonte Izraeli, nuk do të ishte asnjë hebre në botë që do ndihej i sigurt”. Kjo deklaratë e jashtëzakonshme, e cila u prit me duartrokitje dhe brohoritje të mëdha, nuk ishte një rast i izoluar. Tre muaj më parë, Bideni ka thënë: “Po të mos ekzistonte Izraeli, asnjë hebre në botë nuk do të ishte krejtësisht i sigurt. Është e vetmja garanci përfundimtare”.
Demokrati kryesor në Senatin amerikan, Chuck Schumer, shkruan në librin e tij të ri, Antisemitizmi në Amerikë: “Ekziston një krenari e veçantë dhe pothuajse e pashpjegueshme që vjen nga fakti se, pavarësisht gjithë tmerreve, pas dy mijë vjet endjeje në shkretëtirë, populli hebre më në fund u kthye në shtëpi”. Është një arrogancë klasike që pretendon të flasë në emër të “popullit hebre” dhe këmbëngul se Izraeli është atdheu i tyre i vërtetë - pa marrë parasysh se ku jetojnë në planet.
Organizatat më të mëdha hebraike në ShBA lavdërojnë automatikisht qeverinë izraelite, pa marrë parasysh çfarë bën ajo. Dhe, siç shkroi Peter Beinart këtë vit: “Udhëheqësit hebrenj amerikanë nuk këmbëngulin vetëm në të drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Ata këmbëngulin në të drejtën e tij për të ekzistuar si një shtet hebraik. Ata kapen fort pas idesë se mund të jetë njëkohësisht hebraik dhe demokratik, pavarësisht kontradiktës thelbësore mes epërsisë ligjore për një grup etno-fetar dhe parimit demokratik të barazisë para ligjit”.
Edhe më tinëzar është supozimi i pashprehur se, në fund të fundit, jeta e hebrenjve ka në vetvete shumë më tepër vlerë sesa jeta e njerëzve të tjerë në përgjithësi dhe jeta e palestinezëve në veçanti, ndërsa fati i Izraelit është transcendental. Është një mënyrë e mendimit të cilën Beinarti e dënoi në librin e tij të ri, Të jesh hebre pas shkatërrimit të Gazës: “Pa marrë parasysh se sa palestinezë vdesin, ata nuk e ndryshojnë peshoren, sepse vlera e një palestinezi është e fundme, ndërsa vlera e shteti hebraik është e pafundme ... Adhurimi i një vendi që i ngre hebrenjtë mbi palestinezët e zëvendëson Zotin universal të judaizmit - i cili bën kërkesa të veçanta ndaj hebrenjve, por i do të gjithë njerëzit - me një hyjni fisnor që e konsideron jetën e hebreut të shtrenjtë dhe jetën e palestinezit të pavlerë”.
Një adhurim i tillë ndaj Izraelit ushqen konceptin e rrezikshëm se “populli hebraik” është sinonim me Izraelin. Çdo pretendim i tillë mund të sjellë vetëm shkatërrim, sidomos kur Izraeli është pa turp i përfshirë në spastrim etnik, vrasje masive dhe gjenocid. /Telegrafi/


