Please enter at least 3 characters.

Gruaja shqiptare, pa pozitën e duhur në shoqëri

2016/01/gruaja-shqiptare-pa-pozit-euml-n-e-duhur-n-euml-shoq-euml-ri_hd.jpg

Sipas përfaqësueseve të këtyre vendeve, gruaja përballet me vështirësi sa i përket arritjeve të saja në pozitat udhëheqëse.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Teuta Sahatqija, ka ende mungesa sa i përket barazisë gjinore.

“Kemi ligjet, si ai për barazi gjinore e kundër diskriminimit të ligjit zgjedhor, të cilat krijojnë mundësinë e përfshirjes së gruas në politikë dhe përfaqësimin e saj në Kuvend të Kosovës dhe në Kuvende komunale. Por, kur vjen tek postet udhëheqëse, gruaja përballet me tavanin e qelqtë: t’i sheh pozitat udhëheqëse, por jo edhe t’i mbërrijë ato”, tha Sahatqija

Deputetja e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, Majlinda Bregu, tha se gruaja meriton të ketë vendin e duhur në shoqëri, për shkak se, sipas saj, gruaja ka fuqi shumë më të madhe se burri.

“Gratë nuk i harxhojnë orët jashtë zyrës dhe punës për të qenë pjesë e tavolinave të pista; gratë janë më të mira, sepse tentojnë të vrapojnë - sapo të mbarojnë ditën e tyre të gjatë të punës, mes lodhjesh dhe preokupimeve - të shohin fëmijët se si i kanë në shtëpi; gratë zgjohen në mëngjes edhe kur kanë pasur fëmijën e sëmurë dhe kanë kurajë të dalin para pasqyrës dhe t’i vendosin vetes një buzëkuq e të thonë: po, sot prapë do të mundem dhe sot do të vazhdojë të punojë. Vetëm gratë mund të arrijnë këtë dhe kjo do të jetë sfida më e madhe të kthejmë besimin tek politika”, tha Bregu.

Shpresa Hadri, përfaqësuese e parlamentit të Maqedonisë tha se gratë përballen me mungesë të mundësive të barabarta.

“Jemi larg trajtimit, përfaqësimit ose mundësive të barabarta në shoqëri”, tha Hadri.

E, gratë e Luginës së Preshevës gëzojnë më pak të drejta në raport me ato të Kosovës dhe Shqipërisë. Kështu ka thënë Albiona Ibrahimi.

“Në komunë të Preshevës, të Bujanocit e Medvegjës, ne përballemi dy herë me këto vështirësi që i keni ju - Kosova dhe Shqipëria. Fal ligjeve të Evropës dhe fal kontributit të OSBE-së, kemi edhe ne një 30 përqindësh, por kjo nuk do të thotë se jemi të kënaqura ku përqindja e femrës në Luginën e Preshevës është mbi 50 për qind”, tha Ibrahimi.

As në shtetin e Malit të Zi, femrat shqiptare nuk gëzojnë ndonjë të drejtë më shumë se ato të Luginës së Preshevës, thotë Zylfie Duraku.

“Vendet udhëheqëse dhe vendimmarrëse sot janë të rezervuara për meshkujt. Shoqëria jonë nuk po e shfrytëzon gjysmën e potencialit intelektual që e posedon”, tha Duraku.

Në këtë seancë gratë e patën një qëllim të përbashkët: që të ngritin zërin në emër të të gjitha grave për barazi dhe avancimin e tyre në të gjitha fushat jetësore. /KP/