Globalizmi në prehër të Kosovës, a ka perspektivë?
Interes kombëtar i një vendi nuk është mbyllja dhe izolimi por përkundrazi hapja dhe demokratizimi i brendshëm i raporteve shoqërore. Në politikën globale, sot akoma përkundër recesionit të rishfaqur është e padiskutueshme tendenca e procesit të globalizimit, e cila si e tillë dalëngadalë por sigurt është duke i mbizotëruar kornizat e zhvillimeve dinamike politike në botë me qëllim të margjinalizimit sa me të mundshëm të formave tradicionale të organizimit dhe të menaxhimit të jetës së qytetarëve që i dalin asaj si pengesa serioze në galopimin e mëtejmë të afirmimit.
Në këtë kontekst, duket që as trendi i kompetencave të reja që burojnë nga vlera e diskursit të sovranitetit të shtetit që për globalistët është identifikuar si një “rezervat” i tipit të veçante apo siç do të thoshte Aristoteli, një “zoom politikoom-i”, nuk bëjnë ndonjë përjashtim karakteristik kur është në pyetje procesi i shtimit te interesave globale të tyre. Dilema më e madhe që u sjell sot sociologëve të globalizmit, kur janë në pyetje këto ndryshime marramendëse padyshim që kanë të bëjnë me rolin dhe perspektiven e institucionit të shtetit në të ardhmen.
Për vendet e zhvilluara kjo dilemë deri diku është materializuar përmes formave të reja integruese, kurse për ato në zhvillim ende ka ngecje dhe ngurrime sa i përket rolit të këtij institucioni në procesin e bartjes së një pjese të kompetencave (lexo sovranitetit) në forma të reja integruese rajonale.
Për Kosovarët, të cilët për dallim prej të gjithë të tjerëve, natyra e trazimeve të brendshme kur është në pyetje ndërtimi i kapaciteteve të reja të institucionit shtet komb, ka gjithandej specifika të cilat nuk mund t'i hassh në asnjë model zhvillimor të procesit të ndërtimit të institucionit shtet - komb në botë.
Në Kosovë, meqë është ende aktuale çështja e pretendimit të bërjes (jo e ridefinimit) së shtetit përgjithësisht në vija të trasha, do të mund të identifikoheshin dy specifika cilësore që rrallë kund apo askund nuk mund t’i hassh: specifikën e ndërtimit të infrastrukturës elementare demokratike dhe atë të realizimit të synimit për të ndërtuar këtë infrastrukturë elementare me mekanizmin e institucionit të sipërpërmendur. I cili për të tjerët ka filluar të pësojë ndryshime dhe modifikime të theksuara në vetë formën dhe përmbajtjen e vetë shkaku i proceseve të reja të globalizimit.
Nëse i adresohemi synimit të kamotshëm të kosovarëve për ta ndërtuar këtë mekanizëm identifikues edhe për vetë identitetin e ri kombëtar, fitohet përshtypja që ky proces është identifikuar jo si nevojë e komoditetit por e ekzistencës së qytetarëve të sajë gjatë tërë shekullit të kaluar në kushtet dhe rrethanat e reja të një procesi tashmë të afirmuar si globalizëm, atëherë që padyshim lypset të kuptohen trendët e reja zhvillimore përreth. Kjo mënyrë e qasjes duhet involvuar edhe për shkak të vonesës së theksuar historike që e kemi pësuar jo me fajin tonë.
Në Evropën e modelit të Unionit, pra në qarqet e eurokratike ekziston një projekt (akoma në formë projekti teknokrat...) ende i pa afirmuar sa duhet për shumicën e vendeve të tranzicionit se, po që se qytetarëve të këtyre vendeve u ofrohen më shumë të drejta qytetare (eufemizmi për të drejtat e njeriut!) dhe më shumë paqe e qetësi kolektive, atëherë padyshim që çështja e sovranitetit të shteteve do të mund të margjinalizohej me lloj mekanizmin e sigurisë kolektive rajonale.
Në anën tjetër është po ashtu e vërtetë që kapitalizmi i shek.XX i identifikuar si globalizëm është duke instaluar një tip të ri apo një formacion të ri të shtetëzimit si mekanizëm më të drejtpërdrejt që duhet të ushtrojë pikësëpari menaxhimin me të mirat dhe begatitë e një vendi. Ky tip apo thënë më ndryshe ky model nën ndikimin e Unioneve të ndryshme monetare globale, fenomenit CNN-it, KTN-ëve, Internetit dhe OJQ-ëve, për shumicën e sociologëve të sotëm, gjerë tani nuk është duke dhënë rezultatet e pritura. Ai është duke bankrotuar skajshmërisht si ide! Të përmendim vetëm rastin e refuzimit të francezëve për Kushtetutën e re Evropiane! Pastaj, tash së voni edhe çështjen e recesionit i cili nuk mbahet mend që nga viti 1929 që edhe mund ta kontestojë tërësisht “fundin e historisë” Fukujamiste?!
Uria për identitet shtetëror në Ballkan akoma është gjallë?!
Në rajonin e Ballkanit perëndimor, ku uria për identitetin shtetëror ende është e gjallë dhe një paranojë e llojit të vetë edhe për faktin se për të janë zhvilluar madje edhe luftëra gjenocidiale, (shembulli i Bosnjës dhe i Kosovës) çështja e (ri)pajisjes apo zëvendësimit të rolit të shtetit është e paimagjinueshme, e hershme dhe në s’përputhje me kohën e zhvillimit dhe të rrumbullakimit të synimeve kolektive të kombeve. Ithtarët e këtij koncepti në perëndim sot bëjnë ekspertiza dhe analiza të thukëta, duke fuqizuar mendimin akademik se: çështja e (ri)pajisjes apo reduktimi të sovranitetit shtetëror nuk ka qenë dhe nuk është diçka e re.
Ajo sipas tyre ka ekzistuar me të krijuarit e para dispozitave për të lind ky mekanizëm, qysh në shek. e XIX. p.sh. Amerika ka pasur përherë një lloj autonomie dhe kontrolli rigoroz ndaj kësaj çështje, bile edhe sot me xhelozinë më të madhe e bënë këtë. Ta përkujtojmë vetëm luftën e sajë që ajo e zhvillon aktualisht në emër të terrorizmit, që kryekëput zhvillohet në emër të këtyre idealeve dhe interesave para së gjithash kombëtare që ajo i projekton në gjithë rruzullin tokësor.
Thënë me thjesht sovraniteti edhe sot e kësaj dite ka mbetur tërheqës për shumicën dominuese të vendeve të zhvilluara dhe tyreve që janë në zhvillim, kurse mos të flasim për ato që janë në procesin e tranzicionit dhe të procesit të shtet-formimit, siç është rasti i Kosovës, ku interesimi mobilizues i qytetarëve të sajë lidhur me dëshirën dhe pasionin e tyre shekullor për të pas një shtet të vetin e ka burimin e vetë shpjegues dhe shumë identik me popujt tjerë përreth.
Pra, ideja e të poseduarit të sovranitetit të plotë të shtetit të ri të Kosovës ani pse shikuar me dioptrinë e një eksperti të marrëdhënieve ndërkombëtare nuk e ka peshën e mëtejme se të një njohje formale ndërkombëtare në akusherin e OKB-s, ku edhe (de)legjitimohen sovranitetit e shteteve, përmes të cilës pastaj thithja e begative materiale dhe atyre financiare bëhet më e lehtë dhe më durueshme, ajo prapë se prapë e ka madhështinë vetë identifikuese. E kjo madhështi nuk është edhe gjithaq ideale ashtu siç është projektuar zakonisht në kokat e masave të gjera popullore, por para se gjithash pragmatike, ngaqë institucionet dhe qytetarët e mbarë rruzullit tokësorë transaksionet e tyre të ndryshme akoma i ushtrojnë mu përmes këtij mekanizmi ani pse ai herë pas herë gjatë qenësimit të vetë të gjertanishëm historik ka ditur të gjenerojë autoritet dhe arbitraritet të pakontestueshëm dhe një lloj egalitarizmi të diskutueshëm.
Çfarë kuptimi ka sot sovraniteti?
Sovraniteti, të themi kushtimisht ka filluar të luhatet me të mbaruarit e luftës së ftohët dhe me të filluarit e ndërtimit të rendit të ri botëror të identifikuar si globalizëm, westernizëm apo edhe amerikanizëm.
Ideja e sovranitetit, po ashtu ndërlidhet shumë edhe me Paqen e Westfalisë (1648) që është e njohur si Marrëveshje (në të vërtetë e dy Marrëveshjeve: asaj të Minsterit dhe asaj të Osnabrickit) historike, ku u krijuan para dispozitat e para për një sistem modern të shteteve të pavarura në Evropë. Në të vërtetë, kjo Marrëveshje me shumë i adresohej çështjes që kishte të bënte me de legjitimitetin hegjemonist të Kishës së shenjët Katolike të njohur si perandori e llojit te vetë, se sa të idesë se marrëdhëniet ndërkombëtare duhet t'i lëvizë parashikimi lidhur me baraspeshën e fuqisë midis vendeve.
Po ashtu, një ndër provokimet më të rënda që i është bërë ndonjëherë diskursit të sovranitetit padyshim, që ka të bëjë me të drejtat universale të njeriut në gjithë globin tokësorë. Përmes këtij diskursi, sot mekanizmat ndërkombëtar (OKB) kanë të drejtën e intervenimit moralo-politik (Rezolutat e aprovuara), por jo gjithkund dhe gjithherë edhe të drejtën e intervenimit ushtarak, siç ishte rasti i Kosovës.
Ndryshimet e fundit marramendëse tekniko-teknologjike kane bërë që, në një mënyrë e kanë thyer, si të themi atë barrierën e shteteve sovrane. Ngaqë, ndikimi i mediave globale (rasti i gjiganti të quajtur CNN-n dhe Alxhazira-s) kanë bërë që me asgjë të mos mbetet nën mëshirën e pushtetmbajtësve lokalë.
Sot pra si interes kombëtar i një vendi nuk janë mbyllja dhe izolimi por përkundrazi hapja dhe demokratizimi i brendshëm i raporteve shoqërore, pra ndërtimit të një diskursi më të përsosur të qeverisjes dhe menaxhimit me qytetarët e cilitdo vend, ku institucionet legale të dala nga zgjedhjet funksionojnë në mënyrë të admiruar.
Roli i shteti të ardhshëm me siguri që do të anojë më tepër kah roli i menaxhmentit ashtu siç ka filluar aktualisht në perëndim, por pyetja se si do të mund të afirmohej çështja e sovranitetit të cunguar (« autonomi substanciale ») apo atij të reduktuar(« pavarësia e kushtëzuar ») në kushtet dhe rrethanat e reja të procesit të globalizimit, siç është rasti me Kosovën mbetet për t’u parë. Ngaqë, sot për sot është një çështje që ende nuk ka arritur të ketë ndonjë përgjigje të pranueshme as nga diskursi politik e as nga ai shkencor.
Së këndejmi çështja e reduktimit të sovranitetit duket që ende është në fazën eksperimentale dhe eldorado e vërtetë, ndërsa ambient më të përshtatshëm se Ballkani për këtë veprim Prokrustian, duket që akoma nuk ekziston.
Në fakt, mbetet një nevojë që ka të bëjë decidivisht me ndërtimin e institucioneve të pa korruptuara, përmes të cilave do të ngrihej vetëdija racionale për veçantinë e posaçme, si vlerë e procesit të globalizimit.
Edhe pse modeli i komb-shtetit, për disa është bërë një pengesë serioze në fuqizimin e arkitekturës së integrimeve globale, prapë se prapë do thosha ai nuk mjafton vetëm të margjinalizohet dhe si i tillë të bartet në muzeun e tradicionales edhe për shkak se ende nuk ka ndonjë mekanizëm tjetër që do ta zëvendësonte atë si të tillë. E çka është edhe më interesant korniza e shtet-kombit, tash për tash mbetet e vetmja shpresë dhe i vetmi identifikim (që meriton edhe të sakrifikohet për të) përmes të cilit mund dhe po ndërtohet aktualisht demokracia si diskurs botërorë. Në anë tjetër, çështja e (jo)reduktimit, nuk është edhe gjithaq çështje e realizimit apo mos realizimit të synimit për të menaxhuar me vetë vetën si shoqëri e re demokratike, sa çështje e zhvillimit të aspekteve social-ekonomike të qytetarëve të vendeve të tranzicionit, aty ku aktualisht e ka vendin edhe Kosova.
Shteti është i nevojshëm edhe në globalizëm?
Pra, roli i shtetit në kushtet dhe rrethanat e reja është një domosdoshmëri e llojit të vetë, ngaqë vendet e tranzicionit ende nuk e kanë perfeksionuar sa duhet zejen e menaxhimit me vetë veten. Institucioni i shtetit edhe gjithashtu është duke përjetuar një krizë do thosha tridimensionale, sidomos kur janë në pyetje sferat e kompetencave të tij si institucion i fortë në menaxhimin e të mirave materiale të qytetarëve të vet.
Argumenti i parë i kësaj krizë, është duke u manifestuar në sferën e ekonomisë dhe të politikës, ku ai një pas një është duke pësuar humbje në kuptimin e privimit nga disa ingerenca që i ushtronte më herët. KTN (Kompanitë Trans Nacionale), për shumicën e sociologëve të sotëm thuhet se janë ato që në një farë mënyrë kanë tendenca t’i zëvendësojnë në këto sfera disa nga kompetencat e shtetit klasik. Kësaj tendence thuhet që as SHBA-t, nuk po mund t’i ikin, ku me se miri u pa me rastin e pushtimit të Irakut.
Argumenti i dytë,për krizën e dukshme të institucionit të shtetit tani dhe në të ardhmen, thuhet që është padyshim ekzistimi i një vullneti dhe një dëshirë globale politike, për ta ndërruar procesin e zhvillimit të kapitalizmit. Duke mos hy në ndonjë analizë më të thukët, vlen të përmendim bie fjala disponimin e elitave pushtetmbajtëse të botës perëndimore, sidomos asaj amerikane, angleze, spanjolle, italiane, etj. P.sh. Në një takim të «Komisionit Trelateral», D. Rockefeller, përndryshe kryetar i këtij asociacioni, ka theksuar se: »Pushteti mbinacional i bankierëve dhe i elitës intelektuale ndërkombëtare, duhet të qëndrojë mbi të drejtën e kombeve për vetëvendosje» (!?). G. Soros, njëri ndër zëdhënësit më të fuqishëm të globalizmit politik, procesin e kontrollit të tregut global e sheh vetëm në ndërtimin e institucioneve mbinacionale.
Argumenti i tretë, i krizës së ashtuquajtur shtetërore ka të bëjë me humbjen e cilësisë së rolit të tij në formimin e ashtuquajturit ethos kombëtar, që sipas Giddens është pasojë e rritjes së «vetëdijes kozmopolite».
Me sa mund të hetohet, shumica e sociologëve janë të pajtimit se roli i shtetit në rrethanat e reja të globalizmit domosdoshmërish do të reduktohet përkatësisht do të zbehet sovraniteti i tij, mirëpo ai për mendimin tonë asnjëherë tërësisht nuk do të mund të zëvendësohet me ndonjë mekanizëm tjetër përkatës. Kurse Kosova që aktualisht është duke u përpëlitur me sfidën e njohjes së shteteve tjera më së miri e dëshmon se rëndësinë dhe peshën që ka akoma sovraniteti shtetërorë, sovranitet ky që unë gjykojë se do të na nevojitet aq sa do të ngopemi mirë e mirë me të...
(Autori është anëtar dhe kolumnist i shoqatës botërore të sociologëve: www.sociologistswithoutborders.com, komentet dhe vërejtjet mund t’i dërgoni ne email:fadil.maloku1@gmail.com)


