Please enter at least 3 characters.

Gjykata e Prishtinës ua vazhdon paraburgimin dy të dyshuarve për sulmin terrorist në “Ibër-Lepenc”

Iber Lepenc

Gjykata e Prishtinës ka vendosur që t’u vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Dragisha Viqentijeviqit dhe Jovan Viqentijeviqit, të dyshuar për sulmin terrorist të kryer më 29 nëntor 2024 në kanalin e ujit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” në Zubin Potok.

Vendimi është marrë më 25 gusht 2025, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

Sulmi shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe ndërpreu furnizimin me ujë për zona të gjera, duke rrezikuar edhe sigurinë energjetike të vendit.

Policia ka njoftuar se për shpërthimin është përdorur një sasi prej 15 deri në 20 kilogramësh eksploziv.

Pas ngjarjes, Këshilli i Sigurisë së Kosovës kishte mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, ndërsa rastin e dënuan ashpër edhe SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Beogradi zyrtar mohoi çdo përfshirje në këtë sulm, ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se prapa veprimeve qëndrojnë struktura të dirigjuara nga Serbia.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa përveç dy të pandehurve kryesorë, policia ka shoqëruar disa persona dhe ka sekuestruar armë, municion e pajisje të tjera të dyshuara si prova.