Gjithçka gati për memorialin e 16-të të boksit “Adem Jashari”
Federata e Boksit e Kosovës organizon për herë të 16-të turneun e të boksit amator, “Adem Jashari”, i cili këtë vit do të sjellë në qytetin e Gjakovës boks mjaft atraktiv më 22 e 23 nëntor, raporton Sporti1.
Gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli konfirmoi prezencën e 9 shteteve, 7 prej të cilave e kanë konfirmuar më herët pjesëmarrjen, ndërsa Kroacia e Hungaria e kanë bërë këtë gjatë orëve të fundit. Ai se sivjet pritet pjesëmarrja për herë të parë edhe e përfaqësueses së Shri Lankës, e cila pritet të prezantohet me një boksier në 52 kg.
Sipas drejtorit për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Gjakovës, Meriton Ferizi, ky qytet ka privilegjin që të presë një garë të tillë, e cila për të dytin vit mbahet nën ombrellën e Federatës Botërore të Boksit – AIBA. Sipas Ferizit, Gjakova poashtu plotëson të gjitha kushtet e kërkuara edhe teknike, organizative apo profesionale për të ngritur akoma më shumë standardin e organizimeve të këtij turneu.
Përzgjedhësi i Kosovës, Xhevdet Peci ka bërë të ditur se pas turneut në Shtip të Maqedonisë, ai do të dalë me listën konkrete prej 5 apo 6 boksierëve në të cilët mund të llogarisë për turneun “Adem Jashari”. Ai potencoi se janë të pakontestueshëm me formën e tyre Armend Xhoxhaj e Liridon Zeqiri, derisa së shpejti do të bëhen të ditur edhe emrat e të tjerëve që do t’i bashkangjiten këtyre dy boksierëve.
Më 22 nëntor do të jenë në program gjysmëfinalet, që zhvillohen nga ora 12:00 dhe 17:00 në Pallatin e Sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë , kurse finalja të dielën më 23 nëntor nga ora 16:00. /Telegrafi/


