Gjendje "lufte" në Kiev (Live)
Meqë dhuna po rritet, dhe ka edhe të vdekur, Yanukovych së fundi ka takuar kundërshtarët e tij. Por, takimi që zgjati tre orë e gjysmë dhe ku ishte i pranishëm edhe Vitaly Klitschko, Arseny Yatsenyuk, Oleg Tyagnibok, si dhe ministrja e Drejtësisë Jelena Lukasch, përfundoi pa ndonjë rezultat.
Pas takimit, politikanët opozitarë të zhgënjyer lëshuan një ultimatum 24 orësh, brenda të cilit ai duhet të japë dorëheqje.
Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e presidentit nga posti dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme.
" Yanukovych duhet ta zgjidhë këtë situatë pa gjakderdhje, duke mbajtur zgjedhje të parakohshme. Ne do të qëndrojmë në shesh edhe më tej dhe në rast nevoje edhe do të luftojmë”, tha Klitschko pas takimit.
Nga përleshjet mes protestuesve dhe forcave të policisë, një ditë më parë humbën jetën tre njerëz. Opozita përmend madje shtatë të vdekur.
Presidenti ukrainas ka caktuar sot seancë të jashtëzakonshme parlamentare, për të zgjidhur krizën që po shndërrohet në dhunë të përgjakshme. Analistët besojnë se ai është i gatshëm për kompromise.
Por, kryeministri Mykola Azarov ka akuzuar demonstruesit se duan puç.
“Të gjithë ata që duan këtë goditje duhet të thonë: ‘Po, jemi për përmbysje të pushtetit legjitim ukrainas’, e jo të fshihen prapa protestuesve paqësorë”, ka thënë ai. /Telegrafi/


