Please enter at least 3 characters.

Geci: SHIK-u si UDB-a

2016/01/f.0624193822896_m.png

Geci të premten në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, para një trupi gjykues të EULEX-it ka rrëfyer se si Nazim Bllaca e kishte kontaktuar, si i kishte treguar për ato që i kishte bërë SHIK-u, si ishin takuar me Adem Salihajn dhe si kishte pranuar që për të gjitha këto ta bëjnë një CD. Ai ka dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Fahredin Gashit e Hysri Ramës, të cilët akuzohen se në vitin 1999 kishin vrarë Salih Gashin.

Geci tha se kryetari i degës së LDD-së në Lipjan e kishte kontaktuar përmes telefonit dhe i kishte treguar se një njeri me emrin Nazim Bllaca, i kishte kërkuar të takohej me të. “Më ka thirrë një njeri, zërin e të cilit nuk e kam dëgjuar kurrë e as emrin. Më ka thënë jam Nazim Bllaca, e kam një çështje me rëndësi ta bisedoj me ju, po këtë nuk mund ta bëj përmes telefonit”, tha Geci.

Geci tha se me Bllacën ishin takuar në Skenderaj dhe ai i ishte prezantuar si vrasës, si njeri që ka rrahur e plagosur njerëz. “Në fillim kam qenë i shokuar dhe i kam kërkuar letërnjoftimin. Ai nuk kishte letërnjoftim dhe ma solli lejen e veturës, prej së cilës unë ia mora të dhënat”, tha ai.

Bllaca kishte vazhduar t’i tregonte të gjitha ato që tashmë i ka thënë publikisht dhe në një moment kishte përmendur Adem Salihajn. “Këtu i kam thënë stop. Do të shkojmë te Adem Salihaj. Kur ka filluar të flasë për Adem Salihajn, kam filluar t’i besoj. Ai më ka thënë se e ka ruajtur një muaj afër shtëpisë për ta vrarë. Këto m’i ka pohuar edhe vetë Adem Salihaj”, ka rrëfyer Geci. Ai tha se ishte shokuar nga ajo çfarë i kishte thënë Bllaca, sa kishte harruar ta kontrollonte a kishte armë dhe kishte udhëtuar me të për Ferizaj.

“Për Ademin deklarata e Nazim Bllacës ka qenë e besueshme pasi ai ka qenë vetë protagonist. Ai i ka përmendur disa njerëz me makinë që kanë pritur ta vrasin Adem Salihajn. Në bazë të përshkrimeve që i ka bërë Bllaca, Ademit i janë përputhur të gjitha”, tha Geci. Pas sugjerimit të Salihajt, Bllaca ishte pajtuar ta bëjnë një CD “dhe na la amanet që nëse vritet, nga një kopje të kësaj CD-je t’ua dërgojmë familjeve të viktimave”.

Për të gjitha ato që ia kishte thënë Bllaca dhe me përmbajtjen e CD-së, Geci e kishte njoftuar Ambasadën Amerikane, kryeministrin Hashim Thaçi... Thaçi i kishte thënë “kush çka ka ba, ka me gjetë”.

Geci nuk ka ngurruar ta quajë SHIK-un si UDB-në. Ka thënë se këto dy organizata nuk e kanë asnjë dallim, vetëm se “këta të SHIK-ut flasin shqip e ata serbisht”. Bile tha se një pjesë e SHIK-ut kanë punuar edhe për UDB-në.

Geci ka thënë se edhe ai vetë bashkë me shokët e tij ka qenë viktimë e SHIK-ut. “Dy shokë të mi janë vrarë, njëri ka qenë Bekim Kastrati e tjetri Besim Dajaku, truproje e Ibrahim Rugovës, në një pritë të organizuar që unë mendoj që ishte bërë nga SHIK-u. Aty jam plagosur edhe unë”, shtoi ai.

Geci e ka mohuar kategorikisht që Bllaca t’i ketë kërkuar para për ato që i kishte treguar.

Skenari për vrasjen e Salihajt

Geci ka treguar se si kishin dashur ta vrasin Adem Salihajn. “Një veturë Opel Omega i ka shkuar prapa Ademit dhe në një moment të dy veturat janë barazuar. Personi që nuk ka qenë shofer e ka nxjerrë armën, ia ka drejtuar Adem Salihajt dhe i ka thënë “tungjatjeta burrë”. Edhe Salihaj e ka nxjerrë armën e vet dhe i ka thënë “tungjatjeta burrë”, kjo ka zgjatur për disa sekonda derisa vetura nuk është tërhequr dhe ata dy që kanë dashur ta vrasin kanë ikur nga vendi i ngjarjes”, tha ai. /Zëri/Telegrafi/