Furnizimi me ujë dhe Hotel Unioni kundër sovranitetit të vendit
Mbi letargjinë që ka kapluar vendin e “metro-seksualëve” e postmodernistëve dhe shijen e hidhur që po ua le Evropa
Për një kohë të gjatë në ambientin gazetar dhe të shoqërisë civile të Kosovës, mbas lufte, po bëhej një fushatë interne “post-moderniste” që përgjithësisht nënkuptonte të pasurit e një qëndrimi “cool” ndaj problemeve në nivel nacional, në nivel të “politikës së lartë” dhe në anën tjetër fokusimin e vëmendjes në të ashtuquajturat “problemet e përditshmërisë”. Pyetjet që inkurajoheshin të shtroheshin kishin të bënin me furnizimin me ujë, me rrymë, për ngrofjen, për standardin e jetesës, për Hotelin Union. Pra të bëhemi si në Gjermani, Francë, apo kudo tjetër dhe të reagojmë për çështjet që kanë ndikim direkt në jetën tonë të përditshme. Vetëm kështu bëhet shteti, konkludohej shpesh nëpër debate të kësaj natyre.
Duke menduar kështu për një kohë të gjatë, të ashqtuquajturen kategori të “politikës së lartë” ua lajm të tjerëve, të huajve. Tjetër kush na i caktonte kufinjt e vendit tonë derisa ne uleshim kafeve për të sodiur parakalimin e produkteve post-moderniste e metro-seksuale. Dikush tjetër na shkruante kushtetutat e jetës sonë, në ndërkohë që ne jetën e kthyem në “amazing be njeri”.
Kjo mënyrë e të menduarit na bëri të ndjeheshim evropianë duke qenë se imazhin për Evropën e Perëndimin e kishim të tillë – në stilin metro-seksual të jetës. Nuk kishte rëndësi nëse bëje punën e një gazetari, kamarieri, apo thjesht kishe themeluar një OJQ me shoqe a kusheri, Evropa vinte më afër duke e përqafuar “stilin evropian” të jetës, mënyrën “evropiane” të të menduarit. Por, ëndërra u prish megjithatë. Kur e ndiem Evropën në lëkurën tonë, filloi të na pickonte fort sa bizar ishte mendimi ynë për të. Ne mendonim se ishim evropian sepse ishim tolerantët, kooperativët, bashkëpunëtorët. Serbët sulmonin, digjinin, sabotonin, vrisnin policët evropian. Në vend që të shpërbleheshim, siç prisninm, ne trajtoheshim pikërisht ashtu siç e trajtonim veten, të margjinalizuar. Serbët fitojnë koncesione njërën pas tjetrës, u hapet rruga për në Evropë. Personalisht kam pritur që serbët do të ndëshkohen kur i kam par duke e djegur Ambasaden amerikane në Beograd!
Gjithçka sakrifikohet, integriteti, sovraniteti i shtetit ku jetojnë metro-seksualët, Kosovës, për të shtruar rrugën e Serbisë drejt Evropës. Serbët kuptuan gjuhën evropiane që esencialisht do të thotë sa më problematik aq më urgjente futja në BE. Serbët i than jo Evropës, vazhdimisht, ne i tham po, po vazhdimisht. Evropa iu tha serbëve po, neve jo! Ne i tham po një misioni me mandat të paqartë të BE-së, i tham po secilit dokument që na hodhën në tavolinë. Nuk ishte politika e lartë për ne. Për ne ishte e rëndësishme të pajtoheshim dhe të ishim kooperativ dhe acarimin me Evropën e kishim si ankth. Ku po na nxjerr kjo qasje sot? Në izolim total. Në degradim të shtetsisë. Në margjnalizim!
Para një jave kam shkruajtur mbi lehtësinë e padurueshme të politikës kosovare kur flet për integritetin e sovranitetin e vendit. Por nuk është ky vetëm problem i politikës. Të martën, derisa serbët në veri po gjuanin me gurë shqiptarët që rindërtonin shtëpitë, grupi i organizatave të grave doli me një konferencë për shtyp me mantren “s’ka ujë, ska vota”. Ky rrjet para rreth një viti ishte pjesë e koalicionit që organizoi demonstratat kundër Gjashtë pikëshit të Ban Ki Moon. Atëbotë sikundër edhe Organizata ÇOHU!, shumë organizata që ishin pjesë e këtij koalicioni iu nënshtruan presionit të ndërkombëtarëve dhe në protestën e dytë grupi i organiztave që u printe demonstratave u reduktua dukshëm. Sot, kur Gjashtëpikëshi po zbatohet me marrëveshjet mes EULEX-it dhe Serbisë (tani është protokolli për policinë, është paralajmëruar edhe një protokoll për doganat) të njëjtat organizata flasin për furnizimin me ujë dhe injorojnë faktin se po zbatohet një plan kundër të cilit kishin protestuar para më pak se një viti.
E kemi përcjellë të gjithë rrëfimin qesharak të “Hotelit Union” dhe të reagimeve rreth tij. Ata që përcjellin debatet në internet dhe sidomos në Facebook mund ta vejnë re se reagimet për këtë ndërtesë të shkërmoqur tejkalojnë për qindra herë reagimet për Marrëveshjen protokollare që pritet të nënshkruhet mes EULEX-it dhe Serbisë. Të njëjtën qasje e kanë edhe shumica e mediave dhe sidomos e shtypit ditor. Çfarë kuptimi ka debati i nxehtë rreth një ndërtese të shkërmoqur dhe furnizimit me ujë për një vend që i kërcënohet integriteti dhe sovraniteti? Kuptimi i vetëm që mund të nxirret nga kjo është zhvendosja e vëmendjes nga çështjet që vërtet kanë rëndësi. Shkërmoqje e shoqërisë. Shpërlarje truri. Relativizim i çështjeve si integriteti e sovraniteti, të cilat kur i preken botës normale, kur i preken Evropës, bëhet luftë.
Është për të ardhur keq që rëndësia e sovranitetit dhe integritetit të vendit, në rastin kur nuk tejkalohet nga rëndësia e një ndërtese të shkërmoqur ose e furnizimit me ujë, trajtohet në një komunikatë për shtyp nga një grup organizatash. E tërë kjo po funksionon perfekt. Në njërën anë problematizohen çështje që normalisht nuk do të duhej të kishin asnjë lloj rëndësie përballë sovranitetit dhe integritetit të vendit dhe në anën tjetër sovraniteti dhe integriteti trajtohet me një lehtësi të padurueshme, me një komunikatë për shtyp. Sa për ta larë gojën.
Kjo gjendje ka një definim sociologjik që dikush e quan apati e dikush letargji, por është e sigurt që nuk është e rastësishme. Është pjesë e një strategjie të gjatë të që si qëllim ka pasur erozionin e kapacitetit për të përfaqësuar vet-veten, e arritur kryesisht nëpërmjet nxitjes së problematizimit të “çështjeve të përditshmërisë” nëpërmjet mbifinansimit të kësaj qasje nga donatorë të huaj, por e kombinuar edhe me presionet ndaj kujtdo që ka guxuar të përzihet në “politikën e lartë”, e cila ka qenë e rezervuar për ndërkombëtarët. Marrëvëshjet që sot po bëhen në emër të Kosovës i takojnë kategorisë së “politikës së lartë” dhe ato nuk mund të trajtohen thjesht me komunikata për shtyp siç bëjnë organizatat që në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar ishin në ballë të demonstratave kundër Gjashtëpikëshit. Sot, më shumë se kurdoherë tjetër ka nevojë për një organizim të ri në mënyrë që përfundimisht të tregohet se kemi mësuar gjuhën që kupton Evropa. Vetëvendosja i vuri makinat e EULEX-it në perspektivën e duhur. Disa në krah për të fjetur ashtu si krejt Kosova, e disa mbrapsht sa për ta parë realitetin në perspektivën që është vërtet.
(Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!)


