Ftohet Mushica, lirohet e Zhdrella
Më 7 shtator Kosova sfidon Omanin në miqësoren e katërt për këtë vit. Ndërsa, sa i përket dyshesh së Prishtinës, Kushtrim Mushica e Mentor Zhdrella, njëri do të ftohet, kurse tjetri do të mbetet i lirë edhe pse në fillim përzgjedhësi Albert Bunjaki kishte menduar t’i lejë të lirë që të dy. Kjo për shkak se Prishtina më 6 shtator luan miqësoren ndërkombëtare me Sivasporin dhe kjo dyshe ka mundur të shërbejë shumë për skuadrën.
“Meqenëse është vetëm një ndeshje, nuk jemi zgjeruar shumë. Në fillim ishte një moment delikat. Kishim dy portierë, Samir Ujkanin dhe Julian Biblekajn. Me qenë naivë e me marr Kushtrimin, por me lanë në bankë për 90 minuta, ndihem keq unë edhe Prishtina. Mirëpo, në momentet e fundit ka dështuar ardhja e Biblekajt dhe Mushica do të ftohet përfundimisht, pasi duhet të kemi dy portierë të gatshëm”, tha Bunjaki për gazetën SportPlus.
Sa i përket Zhdrellës, Bunjaki pohon se konkurrenca është e madhe në Përfaqësuese dhe duke parë se lojtari mund të japë kontribut më të madh për Prishtinën, do të lihet i lirë, për të mirën e tij. Për këtë, Zhdrella nuk ka marrë ftesë. /Telegrafi/


