“Fqinji është si kripa, ndërsa miku si pitja”!
Fqinji quhet kripë sepse e kemi të dera dhe ai të gjendet për çdo gjë, për të mira e për të liga! Fqinji i mirë nuk ka çmim. Ka ndodhur që kur dikush ka shitur shtëpinë, blerësi ka pyetur më shumë për fqinjët se për shtëpinë që donte ta blinte.
Ka ndodhur që shitësi ti thotë blerësit: tokën ta shes, por jo fqinjin. Fqinjët e mirë nuk paguhen me asnjë çmim.
Ashtu ishte gjithmonë te ne. Miku ishte pite, por larg e rrallë. Kështu shpjegohet kjo fjalë e urtë popullore.
Sa ishte i vogël Grremçi, e ëma e kishte kursyer nga rrëfimet e frikshme. Ashtu ishte shkolluar dhe kishte mbaruar shkollën normale. Nga mosha fëmijërore kujtonte pak përralla të bukura e shumë punë që bënte duke ndihmuar prindërit. Zakonisht detyrat shkollore i kryente në mbrëmje, pasi mbaronin punët ditore. Ai nuk pati kurrë kohë për lojë, që kur u regjistrua në klasën e parë të shkollës fillore.. Grremçi një ditë u bë mësues. Tani kur po i mësonte fëmijët e vegjël i pyeste për shumëçka dhe merrte aq shumë përgjigje të ndryshme, sa shpesh vetja i dukej sikur nuk ka qenë fëmijë asnjëherë.
Mendonte shumë herë, pse nipi i hallës Nurie e thërret gjyshen e vetë – “nëna e bukës” ? Këtë pyetje vendosi t’ia bënte të ëmës. Nëna e Grremçit, pyetjen e priti e befasuar.
Ajo mendoi gjatë për jetën e kaluar me aq shumë vuajtje e mundime, por serish nuk kishte dëshirë të përtërinte terrin e vdekjes së fëmijëve nga uria.
E ëma e Grremçit, më me dëshirë nuk do ti përgjigjej kësaj pyetje asnjëherë.
Prindërit edhe kur bisedonin me fëmijët e tyre i kursenin nga rrëfimet e tmerrit që kishin kaluar gjatë jetës. Derisa Grremçi, mësues i ri, bisedonte me të ëmën, ulë pranë oxhakut, duke pritur drekën, ashtu lehtë e me dashuri vendosi ta pyeste t ‘ëmën.
-Pse hallën Nurie e thërrasin nëna e bukës?
-Mori loke, e rëndë ishte jeta e “nënës së bukës”. Zoti mos e dashtë që të përsëritët ajo skamje nëpër të cilën kanë kaluar shumë nëna e gjyshe. “Nëna e bukës” që e njihni sot, kujdesej për të rritur pesë fëmijë të vegjël. Ata duhej ushqyer e veshur dimër e verë. Krejt veshjen e fëmijëve e bënte me dorë nga leshi i deleve. Furkën e ka hequr nga dora vetëm kur gatuar bukë. Natën e ka kaluar më shumë zgjuar me furkë në dorë duke tjerrë, apo me kërrabëza duke thurë veshjet e fëmijëve. Leshi i deleve kërkonte përpunim të gjatë derisa behej rrobe e gatshme për ta veshur fëmijët e të rriturit.
Vetëm kur po fliste nëna e tij, Grremçit i kishte shkuar mendja të furka dhe boshti në duart e saj, që moti ishin bërë pjesë të pandara të trupit të nënës. Edhe kur i rehatonin fëmijët në gjumë, nënat vazhdonin punën duke menduar për fëmijët që flinin. Ata duhej veshur në çdo kohë. Leshi i deleve ishte bërë moti pjesë e jetës. Njeriu i gjallë nuk mund të mendohej pa veshje leshi.
-Mori loke, krejt përpunimin e leshit e kemi mësuar nga prindërit tanë, nga nëna e gjyshja- i tregonte e ëma Grremçit.
Tepër vonë, në pleqëri të thellë, ulur diku skaj gardhit mbi barin e njomë pranveror, nënat që ishin bërë gjyshe, ndonjëherë ju rrëfenin nipërve apo mbesave ndonjë përjetim të rëndë nga jeta e tyre.
Nëna Rahime, ishte stepur nga pyetja e nipit.
-Mori loke, ishin kohë të vështira dikur. Gëzimi më i madh për ne ishte kur siguronim bukën për një vit. E kishim masë kohore pjekjen e elbit të hershëm, dy javë pas Shëngjergjit.
Atëherë kemi pasur një farë elbi që piqej me herët se këta elbi që njohim tash. Jo pak herë mbesnim pa bukë akoma pa u pjek mirë elbi. E korrnim elbin sapo fillonte të merrte ngjyrë ari.
Vajin e fëmijëve për bukë nuk e përballonim dot. Kur dilte buka e re, na dukej sikur jemi përtërirë të gjithë. Me neve kanë vuajtur edhe bagëtia.
-E kam parë hallën Nurie kur ta ka sjellë një bukë të nxehtë pranë gardhit të oborrit, kur ti ishe duke i pjekur bukët tuaja, për fëmijët tuaj. Kishim bukë edhe na, por halla Nurie të solli bukën e nxehtë. Ti e more dhe nuk i bëre shumë leqe?!
-Po mori loke, asaj që kur i kanë vdekur tre fëmijë nga uria, mbeti pak e lenuar nga mendja. Tash i ka të gjitha të mirat, por çdo herë mbanë një copë bukë me veti.. E ka edhe nusen e djalit e cila gatuan çdo ditë. Halla Nurie, ndanë një copë bukë, e mbeshtejllë me shami dhe e lidhë për beli. Ajo nuk rri kurrë pa punuar diçka. Ajo vetë ka zgjedhur të ruaj delet. Me veti ajo gjithmonë merr edhe furkën me një shtëllungë leshi. Nuk e shkon kohën kot. Nëse të ofron bukë e nuk ja merr, ajo mund edhe të acarohet fort.
-Halla Nurie mbeti e vej me pesë fëmijë të vegjël. Ka ndodhur që thatësia të na godiste të gjithëve. Moti i ligë apo thatësia e gjatë nuk falte asnjë familje. Kur e dinim që nuk kemi drithë deri të korrët buka e re, na kaplonte frika nga uria. Përpiqeshim të bëjmë gjera të pabesueshme që të kursejmë edhe ata pak miell që na kishte mbetur rastësisht. Prapë nuk mjaftonte.
Kur vinte pranvera, sapo fillonte të gjelbërohej natyra, dilnim herët atyre lëndinave ku rriteshin ndopak lakra të egra që i përdornim për të gatuar lakror. Pak ndokush nga katundi ynë arrinte të siguronte bukën deri në korrjet e reja.
-Loke! Kjo “nëna e bukës”, siç i thotë tash nipi i saj, mbeti e vejë me pesë carrokë të vegjël. Për shumë ditë, kishte miell vetëm për një petë lakrori. Peta duhej domosdo të tëhollohej dhe të shtrohej në tepsi, për të vendosur mbi te lakrat e grira me pak bylmet. Lakrat nuk mund të zieshin e të piqeshin pa një petë brumi. Ashtu “Nëna e bukës” e shtrinte atë petë në tepsi duke menduar që mos të digjet për të përdorur edhe një herë tjetër. Këshillonte fëmijët që të hanë vetëm lakrat, e jo edhe petën me shpresë që të gatuante mbi të edhe një apo dy herë. Ashtu e shtyri skamjen për shumë ditë, por nuk ja doli dot.
Gati të gjithë zijoshët kanë vuajtur nga uria.
Njerëzit mbesnim keq edhe për pak kripë. Sidomos nëna e ndiente vetën keq kur nuk kishte pak kripë për tia hedhur bukës gjatë gatimit. Juve, mori loke,
nuk ju shkon mendja spe kripa përdorët gjatë gatimit të të gjitha ushqimeve. Eshë tepër vështirë të mendohet për të ngenë bukë të gatuar pa kripë. Për kripen nuk flet askush.
Populli thotë: “Fqinji është si kripa, ndërsa miku është pite”!
Fqinji quhet kripë sepse e kemi të dera dhe ai të gjendet për çdo gjë. Ashtu ishte gjithmonë te ne. Miku ishte pite, por larg e rrallë. Kështu shpjegohet kjo fjalë e urtë popullore.
Ka pasur zot shtëpie koprrac,( tahmaçar) të cilin e zonja e shtëpisë duhej ta pyeste për çdo gjë, qoftë edhe për pak kripë. Edhe kur fqinja kërkonte nga fqinja një grusht kripë hua, ajo duhej të pyeste të shoqin. Ka pasur raste kur njëra fqinje, tinës burrit, i jepte hua pak kripë fqinjës tjetër. Halla Nurie me pesë fëmijë e kishte ma zor se shumë nëna të tjera, pasi mbeti pa burrë shumë herët. Për dy tre muaj të pranverës së hershme nuk i shpëtoi dot të gjithë fëmijët. Tre i vdiqën nga uria. Vdiqën njeri pas tjetrit. Halla Nurie, digjej për së gjalli duke u përpjekur te shpëtonte dy fëmijët që mbetën gjallë.
Erdhi buka e re e elbit. Korrëm elbin gjysmë të verdhë. Kjo gjyshja Nurie, shpëtoi vetëm një djalë e një vajzë.
E shihni edhe sot kur i ka mbushur nëntëdhjetë vjet, ajo ecë dhe ruan delet e saj në kullosë. Ajo me veti mban një copë bukë çdo herë. Vetë nuk e hanë kurrë atë copë bukë. E ruan derisa ti kthej delet nga kullosa në mbrëmje. Cilido njeri që rastisë andej kah kullosa e deleve, halla Nurie e ndalon dhe ja jep copën e bukës. Mos me pranua me marrë bukën, ajo di të egërsohet.
Kur me sjellë bukë, i them që jam duke i pjekur bukët edhe unë, por ajo nuk të dëgjon. Na e dimë dhe ashtu marrim bukën, e ajo kur i jep bukë dikujt gëzohet. Jemi mësuar me te dhe e dimë që gëzohet. Na që e njohim nuk ia refuzojmë bukën kurrë. Me siguri mori loke, vdekjen e fëmijëve nga uria nuk e përballoi dot. Buka që mbanë me veti edhe në pleqëri, është e barabartë me fëmijët e saj që i vdiqën në dorë. Mos na provoftë zoti me uri.
Nuk e besoni sot si e ruanim zjarrin dikur. Ruajtja e zjarrit për mëngjesin tjetër ishte puna kryesore. Një unzë që mbetej pa djegur skaj oxhakut e mbulonim me hi çdo herë, para se të flinim. Të nesërmen me atë unzë ndiznim serish oxhakun. shkrepëset kanë ardhur vonë. Edhe këta burrat që pinin duhanin e kanë parë kiametin me ndez cigaren, kur nuk ishin afër oxhakut. Xixat për cigare i nxirrnin nga eshka dhe unora (vegël metali). Edhe për ta mbështjellë duhanin e shihnin kiametin sepse nuk kishin letër. Hall të madh kishin letrën.
Ndryshoi gjithçka me vite. Nëna Nurie, të cilën nipërit e mbesat e quajnë “nëna e bukës”, rriti një vajzë e një djalë. I martoi të dy. Reja e saj polli gjashtë djem e dy vajza. Nëna e bukës, shpejt u bë gjyshe por punën nuk e la për së gjalli. Gjashtë dasma bëri për gjashtë djem. Priti ta shihte shtëpinë mbushur me nipër e mbesa. Rapsodët më të mirë kanë kënduar në të gjashtë dasmat.
Nënën e bukës, shumëkush e quante nëna e jetës.
Ti rriste dy fëmijë, ajo e kuptonte se ka fituar luftën kundër vdekjes. Natë e ditë punonte pa bërë zë. Kur u mbush shtëpia me djem e vajza, ajo zgjodhi të ruante delet.
- - Kur takohej me shoqe plaka, me mahi ju thoshte: vet e kam zgjedhur punën. Të sillem nëpër oborr, nuk duroja dot.
- - Vetëm darka e kthente në shtëpi.
Shumë herë mungonte edhe vajguri për të ndriçuar dhomën për darkë. Me dritën e zjarrit kemi ngrenë gati çdo herë. Kur mbushej hëna, kemi shtruar sofrën nën dritën e hënës. Me kërrabëza, nëna e bukës ka thurë gjithë kohën përmendesh. Krejt veshmbathjen e fëmijëve e punonte me kërrabëza.
Edhe kur mbeti pa burrë, ajo nuk u dorëzua. Nuk mendonte të ndahej nga fëmijët. Ajo vetë kryente edhe çdo punë të burrave.


