Flamini rikthehet te Arsenali
Francezi ka nënshkruar kontratën pasi arriti marrëveshjen me klubin gjatë rundit të fundit të bisedimeve, të mërkurën.
Flamini raportohet se do të fitojë një pagë javore prej 50 mijë funtesh dhe ka të përfshirë në kontratë një opsion për edhe një vit të tretë. Arsenali pritet ta konfirmojë marrëveshjen pasi të marrë leje nga Liga Premier.
Kjo është hera e dytë që Flamini nënshkruan për skuadrën e Arsene Wenger, në të dyja rastet si transferim i lirë, dhe i katërti rast në vitet e fundit kur menaxheri rinënshkruan me ish-lojtarët, pas Sol Campbell, Jens Lehmann dhe Thierry Henry.
Flamini u lirua nga Milani në fund të sezonit të kaluar dhe është stërvitur me Topçinjtë gjatë tre javëve derisa kishte punuar për të rikthyer formën dhe për të gjetur një klub të ri.
Wenger vendosi ta angazhojë 29-vjeçarin pasi ishte impresionuar nga gjendja dhe qasja e tij. /Telegrafi/


