Ferizaj befason Trepçën, prek finalen
Skuadra nga Liga e Parë ia doli ta eliminojë në gjysmëfinale të këtij evenimenti Trepçën, të cilën e mposhti me rezultat 3:1, në ndeshjen e kthimit, që u zhvillua të enjten.
Ndeshja e parë, e zhvilluar në Mitrovicë javë më parë kishte përfunduar baras, 0:0, prandaj finalisti duhej të përcaktohej në Ferizaj.
Dhe, vendësit fituan falë golave të Betim Haxhimusës, Sead Miftarit (autogol) dhe Shkumbin Salihut. Kurse, golin e vetëm dhe të pamjaftueshëm për ‘xehetarët’ e shënoi Imer Aliu.
Në një ndeshje paksa të tensionuar, Trepçës iu ndëshkuan me kartonë të kuq dy futbollistë, Arben Zhjeqi dhe Veton Shabani, kurse tek ferizajasit u skuq Fisnik Halimi, raporton Express.
Në finale, skuadra e Bylbyl Sokolit do të përballet me Prishtinën e Afrim Tovërlanit, e cila dje e eliminoi pa problem Fushë Kosovën. /Telegrafi/


