Evropa mund t’i ofrojë inspirimin më të fuqishëm Kosovës dhe fqinjëve të saj
- Fjalimi i Përfaqësuesit Special të BE-së (EUSR) në Kosovë fjalim para Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian -
22 qershor, 2010
Z. Kryesues,
Të nderuar anëtarë të këtij komisioni,
• Është hera e tretë që nga emërimi im si EUSR në Kosovë në shkurt të vitit 2008 që po ftohem për t’ju drejtuar juve. Ky është një nder i madh personal dhe shenjë shumë e qartë për rëndësinë që Parlamenti Evropian i jep rajonit të Ballkanit Perëndimor. Besoj se Parlamenti Evropian është duke dhënë një kontribut të çmueshëm në qasjen e përgjithshme të BE-së ndaj Kosovës. Natyrisht, unë do ju ofroj gjithë mbështetjen që kam mundësi për ketë. Kur është fjala për të ardhmen unë mendoj se kemi para nesh një periudhë me plotë zhvillime. Dua të filloj fjalën time duke paraqitur një përmbledhje të zhvillimeve kryesore në Kosovë prej paraqitjes sime të fundit para këtij komisioni. Do paraqes një vlerësim të progresit të arritur dhe sfidat kryesore për muajt që vijnë. Megjithatë, kjo pasqyrë nuk do të ishte e plotë pa e përmendur rolin e Bashkimit Evropian pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe dinamikat rajonale në prag të bërjes publike të mendimit këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Unë besoj se periudha e ardhshme do të sjellë ngjarje për të cilat duhet të jemi shumë të vëmendshëm, por edhe perspektivë për një dinamikë të re në rajon.
• Para se të vazhdoj, më lejoni të shtoj se unë jam në kontakt të rregullt me Raportuesen e PE-së për Kosovën, Znj. Ulrike Lunaçek. Që nga emërimi i saj ne kemi vendosur një komunikim të mirë për gjendjen në Kosovë dhe unë e përshëndes përkushtimin e fuqishëm të saj për Kosovën.
Z, Kryesues,
• Pas hapave të vazhdueshëm në krijimin e kornizën ligjore dhe institucionale të Kosovës, unë e kam përcaktuar perspektivën Evropiane të Kosovës si prioritet strategjik të punës sime. Kosova po qëndron në rrugë të mbarë, përkundër disa çrregullimeve të vogla të muajve të fundit. Megjithatë, është shumë me rëndësi që të mos lëkundemi nga kursi i Kosovës drejt Evropës.
• Në nëntorin e vitit të kaluar, Kosova mbajti zgjedhjet e para që nga deklarimi i pavarësisë. Zgjedhjet për Kuvendet Komunale dhe për Kryetarë Komunash u organizuan tërësisht nga autoritetet kosovare me ndihmën ndërkombëtare në zhvillimin e kapaciteteve të rëndësishme në fushat kyçe të organizimit. Ato kishin rëndësi shumë të madhe për të siguruar pjesëmarrjen demokratike të komunitetit serb në Kosovë.
• Në përgjithësi, zgjedhjet nga vëzhguesit e huaj, janë vlerësuar se kanë qenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, janë raportuar disa incidente dhe mangësi të vogla gjatë mbajtjes së këtyre zgjedhjeve të para.
• Dua të shfrytëzoj rastin që të falënderoj ketë komision për përgjigjen pozitive në propozimit tim për të dërguar një delegacion vëzhguesish për të vëzhguar këto zgjedhje. Prania e Parlamentit Evropian është vlerësuar shumë lartë nga autoritetet kosovare dhe e ka ngritur nivelin e vëzhgimit ndërkombëtar, e me ketë edhe besueshmërinë në rezultat. Në përgjigje të nevojës për transparencë, edhe unë bëra përpjekje që të mundësojë një vëzhgim të gjerë ndërkombëtar të performancës së autoriteteve të Kosovës. Këto përpjekje sollën një bashkëpunimin me Rrjetin Evropian të Organizatave për Monitorimin e Zgjedhjeve të mbështetur nga shtetet evropiane. Edhe Komisioni evropian angazhoi një ekip ekspertësh për të vlerësuar zgjedhjet. Përpjekjet e përbashkëta për monitorim vunë në pah fushat ku kërkohen ndryshime të cilat janë duke u ngritur tani nga autoritetet kosovare me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Duke pasur parasysh zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen vitin e ardhshëm, kjo vërtet është punë e rëndësishme. Zyra ime do të vazhdojë të kontribuojë në ketë proces.
• Zgjedhjet po ashtu u pasqyruan edhe koalicionin qeverisës, gjë që solli ndryshime në përbërjen e tij, duke përfshirë edhe krijimin e postit të ministrit për Integrim Evropian. Përshtypja ime është se ky ekip i ri ka sjell një përvojë të re në koalicionin qeverisës, e cila mund të jetë e dobishme për përmirësimin e cilësisë së qeverisjes dhe për dinamikën e reformave.
• Në komunat e reja të themeluara, zgjedhjet e mundësuan pjesëmarrjen e komunitetit serb të Kosovës. Komunat e reja të Graçanicës, Kllokotit-Vërbovcit dhe Ranillugut dhe komuna ekzistuese e Shtërpcës, duke ju falënderuar votuesve që shfrytëzuan mundësinë për të vendosur për çështjet e tyre, tani drejtohen nga përfaqësuesit e zgjedhur serbë. Kuvendet komunale dhe kryetarët tani kanë marrë detyrat dhe ka filluar puna për realizimin e pritjeve të votuesve. Për shembull, në Graçanicë administrata e re ka filluar realizimin e një varg punësh në riparimin dhe përmirësimin e rrugës kryesore që kalon përmes komunës, në të cilën nuk është punuar një kohë të gjatë.
• Pikërisht dje, komuna e Parteshit mbajti zgjedhjet e veta të para. Dalja shumë e lartë në zgjedhje – mbi 62% është një demonstrim i qartë i gatishmërisë së madhe të shumicës së popullatës serbe të Parteshit për të shfrytëzuar mundësitë që u ofron decentralizimi dhe vlerat e mishëruara në Kushtetutë: një vend të lirë, demokratik dhe shumetnik, që është atdhe i të gjithë qytetarëve të vet. Zgjedhjet e suksesshme në Partesh demonstrojnë qartë se kohërat kanë ndryshuar. Parteshi që më herët ka qenë i njohur si vend që kundërshton çdo bashkëpunim me UNMIK-un dhe autoritetet e Prishtinës, tash është bërë komuna me pjesëmarrjen më të lartë. Po jetojmë në një epokë të re të bashkëpunimit në vend të bojkotit dhe një numër gjithnjë e më i madh i serbëve të Kosovës janë të gatshëm të përqafojnë të drejtat e tyre për të vendosur vet për çështjet që u përkasin atyre.
• Pa marrë parasysh vullnetin e qartë të shumë serbëve të Kosovës për t’ju drejtuar Prishtinës për shërbimet komunale aq shumë të pritura, megjithatë ende ka pengesa. Në të gjitha këto vende, strukturat e sponzoruara nga Serbia vazhdojnë të operojnë në mënyrë paralele ndaj administratave lokale legjitime. Në disa lokalitete është gjetur një modus vikendi mes tyre, në disa të tjera ky është një proces në vazhdim e sipër. Për më tepër, bartja e fondeve dhe përgjegjësive komunale në komunat e reja në disa raste nuk ka përparuar aq lehtë sa kemi pritur.
• Përkundër kompleksitetit dhe shumë vështirësive në krijimin e qeverisjes lokale funksionale dhe demokratike, unë jam i bindur se zgjedhjet lokale paraqesin një arritje të madhe në vënien e themeleve për një shoqëri të qëndrueshme shumetnike në Kosovë. Tani sfida nuk qëndron në krijimin e një kornize për qeverisje lokale për serbët e Kosovës, por në mbajtjen e dinamikës së arritur dhe në fuqizimin e mëtejmë të këtij komuniteti në trajtimin e çështjeve lokale. Unë do vazhdoj të ndihmojë në demonstrimin e të mirave që sjell pjesëmarrja në jetën politike të Kosovës.
Z. Kryesues,
• Përmirësimi i dukshëm i kushteve jetësore në komunat e reja mund të jetë inkurajim për bashkëpunim me komunitetin serb të Kosovës që jeton në Kosovën veriore. Në periudhën e ardhshme unë besoj se do të jetë shumë me rëndësi që të shtohen kontaktet dhe lidhjet me ketë komunitet.
• Gjendja e tanishme në Kosovën veriore nuk është e qëndrueshme. Gjendja është karakterizuar me stagnim socioekonomik, mospërfillje politike, mungesë të zbatimit të ligjit dhe administratë të korruptuar. Kjo, Z. Kryesues, nuk mund të vazhdojë në një rajon më perspektivë evropiane dhe të gjithë qytetarët në atë pjesë të Kosovës meritojnë kushte të rregulluara jetësore dhe mundësi më të mëdha për prosperitet. Të jem krejtësisht i qartë: Kosova do të jetë ajo korniza e përgjithshme për përmirësimin e këtyre kushteve jetësore.
• Kjo qasje duhet të mbështetet në dy shtylla: (i) në shtrirjen më thelbësore nga autoritetet e Kosovës duke ofruar përmirësim të vërtetë përmes shtrirjes së qeverisje lokale efikase; (ii) në pranimin dhe pjesëmarrjen vullnetare të të gjitha komuniteteve që jetojnë në atë pjesë të Kosovës. Jam i bindur se bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësinë që të bëj bashkë të gjitha palët.
• Në ketë kontekst, BE-ja po bëhet faktor gjithnjë e më i rëndësishëm. Qasja e pranisë së BE-së është se Kosova është një hapësirë unike ligjore dhe BE-ja do të ndjek objektivat e saj në tërë Kosovën. Bazuar në ketë parim, BE-ja do të vazhdojë të shtrijë sundimin e ligjit, të përmirësojë kushtet socioekonomike dhe të forcojë marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve. Më lejoni tu sigurojë se të gjitha masat janë të matura, graduale dhe të ndjeshme ndaj perceptimeve lokale. EULEX-i ka arritur progres thelbësor në rivendosjen e autoriteteve doganore, policore dhe gjyqësore. Komisioni Evropian është duke zbatuar një varg projektesh të rëndësishme. Prania e BE-së është bërë më e dukshme dhe ka shtuar shtrirjen e saj me hapjen e Shtëpisë së BE-së dhe një Pikë të Informimit. Me kërkesën time, Ndërmjetësuesi i BE-së, Ambasadori Italian Michael Giffoni, është duke ju prirë me sukses përpjekjeve të përbashkëta të BE-së.
Z. Kryesues,
• Më lejoni tani t’i kthehem performancës së autoriteteve të Kosovës. E thashë më herët se është arritur përparim në konsolidimin e kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës. Sidoqoftë, zhvillimi i një bashkëveprimi të shëndoshë institucional është proces që vazhdon. Organet gjyqësore duhet të vazhdojnë të konsolidojnë funksionet e tyre për të siguruar që autoritetet të respektojnë legjislacionin e Kosovës. Kuvendi i Kosovës akoma nuk ka arritur që të ushtrojë plotësisht funksionet e veta të mbikëqyrjes parlamentare. Unë e përshëndes ndihmën e Parlamentit Evropian; këtë pasdite, do të kem privilegjin e madh që të marrë pjesë në Takimin e tretë Ndërparlamentar në mes të PE-së dhe Kosovës. Unë zhvilloj konsultime të rregullta me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, kohëve të fundit rreth agjendës legjislative të Kosovës që ka të bëj me BE-në.
• Kjo më sjell te perspektiva evropiane e Kosovës. Kosova vazhdon të ndërmarrë hapa të vendosur drejt Evropës. Vlerësimi në raportin e progresit të vitit të kaluar ka mbuluar periudhën kur Kosova kishte rritur dukshëm përgjegjësinë politike dhe administrative për agjendën reformuese të saj. Unë e konsideroj vlerësimin e Komisionit Evropian si të drejtë dhe mund ta shohim qartë se kjo ka nxitur autoritetet e Kosovës që të rrisin fokusimin e tyre në agjendën e BE-së. Në takimet e mia me udhëheqësit e Kosovës, unë shoh një përkushtim edhe më të madh për të ecur përpara. Megjithatë, duhet të sigurohemi që entuziazmi për sukses të mos zëvendësojë veprimin e shpejtë për zgjidhje të qëndrueshme afatgjate. Legjislacioni dhe vendimet duhet të zbatohen në mënyrë konsekuente dhe pa ngecje.
• Zhvillimi ekonomik në Kosovë mbetet i dobët dhe imazhi i Kosovës si vend i mundësive ekonomike kërkon vëmendje të vazhdueshme. Fatmirësisht, ndikimi i krizës financiare globale ka qenë i kufizuar. Përmirësimi varet nga reformat e reja në fushën ekonomike dhe fiskale, si dhe nga menaxhimi financiar i shëndoshë dhe i qëndrueshëm. Pengesat kryesore për investimet e huaja që janë aq të nevojshme janë të ndërlidhura me çështjet e qeverisjes e dobët, korrupsionit të përhapur dhe shkeljeve të sundimit të ligjit. Autoritetet kosovare kanë deklaruar gatishmërinë e tyre të pakompromis për të marrë rolin udhëheqës në trajtimin e këtyre çështjeve. Janë ndërmarrë edhe disa hapa pozitiv, si për shembull, në themelimin e organeve kundër korrupsionit, por mbetet të shihen veprimet e mëtejshme. Vetëm progresi i vërtetë në këto fusha do të transformojë imazhin e Kosovës. Duhet të shtoj, megjithatë, se ka shenja të ndryshimit në ketë aspekt. Kohëve të fundit, Aeroporti i Prishtinës është privatizuar më sukses pas një procesi të rregullt dhe kjo tregon se Kosova mund të jetë partner për bizneset ndërkombëtare.
• Bashkë me autoritetet përgjegjëse, BE-ja dhe prania e saj në Kosovë kanë vazhduar të kufizojnë fushëveprimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioni Evropian dhe EULEX-i, në përputhje me agjendën evropiane të Kosovës, kanë ndihmuar autoritetet Kosovare në tejkalimin e dobësive ligjore dhe institucionale. Në mënyrë të veçantë, rregullorja e prokurimit në Kosovë është harmonizuar me standardet ndërkombëtare. Mendoj se mund të themi se korrupsioni – edhe ai në nivele të larta – është duke u zmbrapsur si rrjedhojë e hapave të ndërmarrë kohëve të fundit nga EULEX-i. Mesazhi se askush nuk është mbi ligjin ka hasur në mbështetje të gjerë te qytetarët e Kosovës dhe ka përmirësuar dukshëm imazhin e BE-së. Dua të shfrytëzojë ketë rast të përgëzojë Yves de Kermabon për përpjekjet e tij të vendosura.
Z. Kryesues,
• Derisa perspektiva evropiane e Kosovës ecën përpara, marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian sa vijnë e bëhen më të forta. BE-ja në mënyrë të vazhdueshme është duke shndërruar bashkëpunimin rreth reformave me Kosovën në një partneritet gjithnjë e më të fuqishëm.
• Megjithatë, kur shohim se fqinjët e Kosovës bëjnë përparim drejt BE-së, siç është për shembull përfshirja e Shqipërisë dhe Bosnjës e Hercegovinës në liberalizimin e vizave dhe Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Serbinë, ne duhet t’i bëjmë pyetje vetes se a mund të bëjmë më shumë për të ndihmuar Kosovën në realizimin e perspektivës së saj evropiane.
• Gjatë vitit të fundit, besoj se BE-ja ka treguar aftësinë për të përshtatur dhe ndryshuar formën e bashkëpunimit të vet me Kosovën. Ju lutem më lejoni të përmend disa shembuj:
• Menjëherë pas paraqitjes sime të fundit para këtij komisioni, Komisioni Evropian publikoi një studim me titull “Kosova – realizimi i perspektivës së saj evropiane”. Studimi përmban një numër propozimesh që janë miratuar nga Këshilli Evropian në dhjetor. Studimi hapi shtigje të reja për integrimin evropian, veçanërisht duke paraparë marrëveshjen tregtare dhe liberalizimin e vizave “kur të jenë plotësuar kushtet”, dhe kjo paraqet jo vetëm zotim ndaj Kosovës, por edhe mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit me Kosovën.
• Me sugjerimin tim, BE-ja kohëve të fundit e ka përmirësuar rolin e vet në fushën e rëndësishme të Trashëgimisë Fetare dhe Kulturore, duke emëruar Shefin e Zyrës Ndërlidhëse Greke në Kosovë si Lehtësues për Trashëgiminë Fetare dhe Kulturore për KOS-in në Kosovë. Zyra ime e mbështet atë në përmbushjen e mandatit të tij. Ajo ka iniciuar një varg aktivitetesh për të ofruar zgjidhje konkrete për problemet në terren, duke ndihmuar dialogun ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe autoriteteve lokale. Në një fjalim të tij të kohëve të fundit në OKB, Ministri i Punëve të Jashtme Jeremiç theksoi se Serbia është e inkurajuar nga shenjat e para për të arriturat e Lehtësuesit. Një zhvillim tjetër pozitiv është tranzicioni i KOS drejt një qasjeje më të moderuar në Kosovë. Bashkëpunimi me KE-në në ketë fushë është shumë i mirë dhe ne jemi të gatshëm të mbështesim hartimin e strategjisë sektoriale sipas kushteve të KE-së.
• Unë tashmë i përmenda përpjekjet e përbashkëta të pranisë së BE-së në Kosovën veriore. Dhe nëse ja dalim t’i bashkojmë të gjitha këto fije, Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, EULEX-in dhe Lehtësuesin për Kosovën veriore, ambasadorin italian Michael Giffoni, Lehtësuesin për TFK, mendoj se është e qartë se Bashkimi Evropian do të jetë në rrugë të mirë që të bëhet partneri kryesor ndërkombëtar i Kosovës. BE-ja mbetet e unifikuar në përkushtimin e saj për Kosovën. Unë do vazhdoj të punoj ngushtë me të gjithë akterët e BE-së në Kosovë me qëllim të avancimit të rolit dhe imazhit publik të BE-së si dhe të ngritjes së koherencës dhe efikasitetit në përpjekjen tonë të përbashkët.
• Pa dyshim, kjo është shenjë e mirë për kanalizimin e mëtejmë të pranisë së BE-së në Kosovë, siç parashihet në Traktatin e Lisbonës. Unë e mirëpres një përfaqësim më të dukshëm, më koherent dhe më efikas të BE-së në Kosovë pasi kjo do të zhvillonte më tej marrëdhëniet me Prishtinën, duke ngritur bashkëpunimin në nivel më të lartë. Është me rëndësi që ndërtimi i përfaqësimit sipas Lisbonës të ruajë dinamikën në përpjekjet e Kosovës për reforma. Në periudhën që vjen unë do ta konsideroj ketë si një ndër detyrat e mia parësore për të ruajtur ekuilibrin në mes të realizimit të potencialit për transformimin e pranisë së BE-së dhe rrugëtimit të vazhdueshëm të Kosovës drejt BE-së.
Z. Kryesues, zonja dhe zotërinj,
• Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet që shumë shpejt të jap mendimin e saj këshillues. Nuk më përket mua që të komentoj rreth mendimit këshillues të gjykatës, por besoj se bërja publike e tij nënkupton mundësi për të shtuar kontaktet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Unë besoj se Beogradi dhe Prishtina duhet të shfrytëzojnë ketë mundësi për tu marrë me çështje praktike, zgjidhja e të cilave është në interesin e tyre të përbashkët.
• BE-ja është në pozitë shumë të mirë që të promovojë kushte të mira dhe të lehtësojë dialogun. Ajo ka një varg të gjerë stimuluesish dhe instrumentesh për të ndihmuar palët që të angazhohen dhe të mbështesin avancimin gradual të marrëdhënieve.
• Nuk mendoj se ky është projekt i pamundshëm. Si Beogradi ashtu edhe Prishtina kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për të punuar me njëri tjetrin. Edhe në takimin e fundit të nivelit të lartë në Sarajevë, i cili ishte përgatitur me mjeshtri nga Presidenca spanjolle e BE-së dhe nga autoritetet boshnjake, disa prej nesh që morëm pjesë e pamë se është i mundur.
Z. Kryesues,
• Dua të përfundoj me këto fjalë: Kosova është duke lëvizur përpara dhe në ketë lëvizje të saj ne po ndërlidhemi gjithnjë e më shumë me të ardhmen evropiane të Kosovës. Ky rrugëtim është plotë sfida dhe ka mundësi që në ecjen tonë përpara të na dalin vështirësi të panjohura.
• Kosova është pashmangshmërisht sfidë evropiane, por është edhe rasti i vetëm dhe më i qartë i suksesit të mundshëm evropian. Në mënyrë të përsëritur është bërë e qartë se BE-ja e konsideron Kosovën dhe rajonin si çështje të saj. Evropa ka të gjitha nivelet – atë diplomatik, ekonomik dhe teknik – për të sjell progres. E që është po ashtu me rëndësi, Evropa mund t’i ofrojë inspirimin më të fuqishëm Kosovës dhe fqinjëve të saj. Ka sfida të mëdha në ketë rrugëtim, por – për dallim nga çështjet e tjera të pazgjidhura në rajon – unë do të thosha se këtu kemi një rezultat të qartë pozitiv, tashmë të pranuar gjerësisht. Në Kosovë, Evropa mund të marrë rolin udhëheqës dhe të demonstrojë në mënyrë më të qartë se asnjëherë më parë aftësinë e saj për zhvillim, përmirësim dhe inspirim. Të nderuar anëtarë të këtij komisioni, të vazhdojmë me ambicien tonë për arritjen e një Kosove stabile dhe me prosperitet për të gjithë.
(Titulli është i Redaksisë)


