Embargoja rrit çmimet në Kukës
Bllokimi i mallrave “Made in Serbia” për në Kosovë ka krijuar një situatë jo të favorshme, veçanërisht në tregun verilindor, ku një numër i madh mallrash me origjine serbe tranzitohen, për në vendin tonë nga Kosova. Tregtarët vendas që zhvillojnë tregti të përditshme në tregjet e Kosovës, kryesisht në Prizren, kanë nisur të shqetësohen për ndikimin ekonomik mbi bizneset e tyre nga kjo bllokadë.
Në Kukës numërohen afro 100 pronarë furgonësh apo kamionësh, që dalin përditë në tregun e Prizrenit, nga ku sjellin në Kukës kryesisht miell, misër dhe ushqim koncentrat për bagëtinë, mallra këto, që vijnë nga Serbia në tregun kosovar dhe prej andej shpërndahen në Kukës, Has, Tropojë e më gjerë.
Ndikimi i parë është se këta pronarë mjetesh që tani po ndjejnë rrezikun e mbetjes pa punë. Nga ana tjetër, mungesa në treg e këtyre mallrave ka filluar që tani të “përkthehet” në rritje çmimesh, në pritje që këto produkte të gjenden e të sillen nga tregje të tjera. Sipas tregtarëve, ende është herët të vihet alarmi, sepse në Kosovë mallrat serbe që mungojnë mund të sigurohen nga rajoni, raportoi Gazeta Shqiptare./Telegrafi/


