Please enter at least 3 characters.

Eksperti amerikan për armët kimike: Rreziqet janë të ulëta

2016/01/eksperti-amerikan-p-euml-r-arm-euml-t-kimike-rreziqet-jan-euml-t-euml-ul-euml-ta_hd.jpg

I pyetur se përse, sipas tij, Shqipëria është parë si një vend i mundshëm për asgjësimin e lëndëve kimike të Sirisë, Duelfer tha: “Në fakt janë bërë diskutime me shumë vende dhe, me sa di, janë duke u shqyrtuar edhe alternativa të tjera”.

“Por Shqipëria ka një histori për sa i përket asgjësimit të armëve kimike dhe gjeografikisht ajo është afër Sirisë, vendit ku ndodhen këto lëndë kimike. Ka shumë faktorë që janë në favor të zgjedhjes së Shqipërisë. Nga pikëpamja e komunitetit ndërkombëtar kjo duket se mund të ishte një ide e mirë për Shqipërinë, politikisht por edhe ekonomikisht, sepse shkatërrimi nuk do të bëhej nga vetë Shqipëria, madje do të shoqërohej edhe me një burim të ardhurash”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me protestat e njerëzve, ai tha që e kupton se askush nuk dëshiron të bëhet depozitues i mbetjeve industriale të botës, por mendon se kjo është kuptuar krejtësisht gabim.

“Ajo që është propozuar, në fakt, është që disa komponentë të këtyre armëve kimike të transportohen në Shqipëri, të çaktivizohen dhe pastaj të hiqen nga territori i saj. Në Shqipëri ende ka mbetje të elementëve kimikë të shkatërruar atje më parë. Në këtë rast, vendi mund të nënshkruante një marrëveshje për heqjen edhe të mbetjeve të mëparshme pasi të jenë çaktivizuar komponentët e lëndëve kimike siriane. Kjo do ta bënte Shqipërinë një vend edhe më të pastër se sa më parë”.

Sipas tij, në Shqipëri nuk do të transportohen armët kimike. Fjala është për njërin nga komponentët që përbëjnë një armë kimike. “Pra, nuk do të sjellin armët kimike në Shqipëri. Ky komponent do të neutralizohet me një proces kimik dhe pastaj do të largohet nga Shqipëria diku tjetër për t’u djegur”.

Në pyetjen se a nuk është i rrezikshëm në vetvete edhe sjellja e një komponenti të armës kimike, ky ekspert tha se ai komponent është po aq i rrezikshëm sa ç’mund të jetë një lëndë kimike industriale.

“Pra, fjala nuk është për një agjent nervor apo për diçka që shkakton efektet e tmerrshme që njerëzit panë nga përdorimi i armëve kimike në Siri. Është si puna e ngjitësit të quajtur ‘epoxy’, ku duhet të përziesh dy lëndë që ai të bëhet i efektshëm. Pra, flitet vetëm për njërin nga dy elementët me të cilët prodhohet agjenti nervor. Natyrisht, nuk është një lëndë kimike e mirë, nuk është diçka që mund të pihet, për shembull, sepse ndryshe nuk do të kishte nevojë të shkatërrohej, por nuk është një armë”, tha ai.

Sipas tij, për Shqipërinë ka tre alternativa. “Ata mund të thonë: ‘Faleminderit por nuk duam të marrim pjesë, çojini diku tjetër’. Dhe në fakt ka vende të tjera ku ato mund të dërgohen. Alternativa tjetër është që Shqipëria të pranojë të marrë pjesë në vetëm njërën fazë të procesit, në çaktivizimin e komponentit, i cili pastaj të dërgohet diku tjetër për djegie. E treta, në varësi të qeverisë, është që në Shqipëri të ndërtohej një impiant djegieje, i cili të mund të shërbente edhe për qëllime të tjera industriale. Por këto janë çështje sa politike aq edhe biznesi. Shumë vende kanë impiante djegëse. Këto janë vende me procese të përparuara industriale, vende që kanë nevojë për asgjësimin e mbetjeve të ndryshme kimike për të mos dëmtuar mjedisin”.

Charles Duelfer ka qenë zëvendëskreu i ekipit të OKB-së për inspektimin e armëve nga viti 2003 deri më 2005, kohë gjatë së cilës ka punuar për kërkimin e armëve irakiane të shkatërrimit në masë. Para kësaj, ai ka qenë këshilltar i posaçëm i drejtorit të CIA-s për armët e Irakut dhe ka përvojë në shkatërrimin e lëndëve kimike të Sadam Huseinit. /Telegrafi/