Please enter at least 3 characters.

Drejt BE-së

Fillimi i hovshëm i kampanjës zgjedhore, i shoqëruar si gjithmonë në po të njëjtin interval kohor me intensitet të shtuar të aktiviteteve në shumë dimensione, qofshin këto mediale apo ato të realizimit enorm të projekteve të ndryshme infrastrukturore që prekin mirëqenien e qytetarit në njërën anë dhe raporti i progresit të Komisionit Evropian në anën tjetër, ishin dy ngjarje kryesore, që kulmuan javën që po lëmë pas.

Koincidoi që, fillimi i parë i një fushate elektorale në Kosovën shtet, të behej nën emocionet që solli lajmi i mirë se edhe shqiptarët janë në rrugë të drejtë dhe vazhdojnë të jenë kandidat serioz dhe patjetërsueshëm popull me perspektivë të sigurt evropiane.

Dhe pikërisht në kohën kur testi kryesor demokratik i një vendi, parimisht kushti elementar i një vendi kandidat për BE, që janë zgjedhjet e lira dhe demokratike, po zhvillohen me agjendën e paraparë dhe deri më tani nuk kanë eskaluar nga kornizat që parashohin rregullat standarde të demokracive të zhvilluara.

Zhurma e madhe për kinse “getoizim” dhe tendenca e “unimikizimit” të Bashkimit Evropian dhe misionit EULEX nga qarqe të caktuara të shoqërisë sonë civile, por edhe qëndrimi jo mirë i definuar institucional i Prishtinës zyrtare në raport me politikën evropiane në vendet e Ballkanit dhe posaçërisht të Kosovës, bëri që në masë të madhe disponimi i përgjithshëm qytetar dhe besimi se Evropa është dhe ne do jemi pjesë e saj, të relativizohej në nivelin e rikthimit në pikën zero, atje ku poezitë dhe folklori shqiptar për “Evropën e vjetër” do ishin shpëtimi i vetëm. Nuk ndodhi.

Raporti i fundit i progresit për Kosovën dëshmoi edhe një herë se përkushtimi Evropian për Kosovën dhe shqiptarët tejkalon përmasat deklarimeve sa për të mbushur mendjen, por edhe gatishmëria institucionale e lidershipit të vendit për të përmbushur obligimet, detyrat dhe realizuar standardet e parapara nga BE është kuptuar seriozisht. Sfidë vazhdon të mbetet pjekuria institucionale dhe brishtësia në administratën publike.

Natyrshëm, pjesët e raportit që u dedikohen elementeve ku duhet kushtuar më shumë vëmendje, domosdo duhet të jenë kyçe të proceseve në vazhdim. Deklarimi publik i kryeministrit të Republikës z. Thaçi, se Kosova mbështet në tërësi raportin, përfshi edhe pjesët ku konstatohen parregullsi në disa segmente të institucioneve publike, dhe zotimet e po të njëjtit se puna në mënjanimin e tyre është përkushtim shumë serioz qeveritar, na bënë të ndihemi komod dhe optimist se jo larg, rikthimi në vatrën e humbur, në identitetin e nëpërkëmbur evropian do bëhet realitet.

Duke i hapur rrugë Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe atë të liberalizimit të vizave, BE si tërësi, duke përfshirë edhe shtetet anëtare të cilat deri më tani nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovë, de-facto njeh pavarësinë e vendit. Në anën tjetër, forcimi i sovranitetit shtetëror, në proces gradual, por të sigurt, po merr formën e tij të pritshme.

Vendimi për inspektimin e pikave kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me atë të Serbisë me anë të një trupe verifikuese të BE-së, argumenton edhe më fuqishëm faktin se njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së tashmë po ndodhë. Në kuadër të reformave rrënjësore, që kanalizohen në procesin e integrimit evropian, institucionet e vendit, por edhe shoqëria civile, mbeten bartësit kryesor të një procesi po aq të rëndësishëm, që është edukimi qytetar në frymën e integrimit dhe vlerave të harmonizuara politike dhe qytetare evropiane.

Edukimi, qoftë përmes promovimeve publike, apo edhe përmes programeve të përbashkëta qeveritare, jo qeveritare dhe atyre të BE-së në kuadër të institucioneve edukativo-arsimore, qoftë të ciklit të ulët apo atij të mesëm, është çelës i këtij suksesi. Të diturit për organizimin dhe funksionimin e BE-së është mundësi e mirë dhe hup tutje drejt evropianizimit dhe modernizimit të shoqërisë.

Sfidë tjetër mbetet edhe stabiliteti i brendshëm politik. Zgjedhjet e 15 Nëntorit, mbeten sprova kryesore e kësaj fushe. Dëshira për pushtet në komunat e mëdha, ka bërë që partnerët e koalicionit të ashpërsojnë tonet në raportet reciproke. Deklarimet e fundit të zyrtarëve të LDK-së se fati i koalicionit aktual mundë të varet nga fushata që PDK do bëj në Prishtinë, përçon mesazh negativ dhe si i tillë vë në dyshim qëndrueshmërinë institucionale të vendit, që është një nga parakushtet esenciale të BE-së.

Definimi deciziv i përgjegjësive dhe kompetencave kushtetuese, do relaksonte në masë të madhe situatën. Tejkalimi i interesave të ngushta politike, sot ka efekt tek masat e gjëra.

Vlerësimet pozitive për Zgjedhjet e Nëntorit janë jetike për vendin. Mbarëvajtja dhe rregullsia e tyre, për ne sot është mision patriotik. Është obligim kombëtar. Është hapi i madh që do na shpjer edhe më afër BE-së. Dhe kjo ka rëndësi. Sepse është koha e fundit që secili nga ne, qartë dhe bindshëm ta kuptojë që nuk ka rrugë tjetër veç Bashkimit Evropian dhe se stacioni ynë i fundit është Brukseli, duke qenë ky edhe lajtmotivi ynë suprem, ai i integrimit dhe bashkimit të kombit.
Ta bëjmë realitet.