Draskovic: Kosova është shtet, dialogu në rrezik
“Nuk jam optimist se do të vijë deri te marrëveshja. Është evidente që dialogu i Brukseli ndodhet në rrezik në gjysmë hapi deri te marrëveshja, kurse në Beograd sërish ka lulëzuar e ashtuquajtura retorikë e vjetër patriotike, ultimatume të vjetra, tërheqja e vijave të kuqe dhe goditja për muri. Kjo mund të prodhojë pasoja të rrezikshme edhe për Serbinë edhe për serbët në Kosovë”, ka thënë Draskovic për televizionin shtetëror serb,citon ORAinfo.
Sipas tij, në rast se ky dialog dështon, bisedime tjera nuk do të ketë dhe ka vlerësuar se për dështimin e tij do të akuzohet vetëm Serbia.
“Dhe, jo vetëm që do ta humbasim datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, por do të shuhet rruga e lëvizjes së këtij shteti drejt Evropës”, ka thënë Draskovic.
Draskovic ka thënë se Vucic, i cili është shef i partisë më të madhe edhe në qeveri edhe në vend, është ai i cili mund ta parandaloj kolapsin e dialogut të Brukselit dhe se “ky është momenti i fundit që të tentojmë që mos të ndodh kolapsi”
“Vucic është figura e vetme e mbetur dhe autoriteti, i cili mund të bart në krahët e tij që të ndërmerr këtë rrezik”, ka thënë ai.
Draskovic ka thënë se Kosova tashmë është shtet, duke rikujtuar se me aktvendimin e Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë është thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, e as rezolutën 1244 të KS së OKB-së. /Telegrafi/


