Dorëzohet “Ivani i tmerrshëm” dhe lirohet
Huligani i njohur serb, i cili hyri në fushë gjatë ndërprerjes së ndeshjes Serbi-Shqipëri më 14 tetor 2014, është lëshuar nga policia pas një seance dëgjimore, edhe pse rrezikon pesë vjet burg nëse gjykohet për dhunë në manifestime sportive.
E përditshmja serbe Kurir, ka cituar fjalët e “Ivanit të tmerrshëm” gjatë marrjes në pyetje në polici: “Kam hyrë në fushë vetëm për një arsye. Doja të largoja dronin me flamurin e Shqipërisë së Madhe. Kur e pashë më ngriti nervat dhe vendosa ta bëj sepse askush në ato momente nuk po lëvizte nga vendi”.
Pas shpalljes në kërkim, Bogdanov ka qëndruar i fshehur për rreth katër muaj, transmeton Gazeta Shqip.
Ai ishte bërë i njohur edhe më parë, kur në stadiumin “Marasi” të Gjenovës, kishte djegur flamurin shqiptar duke shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes Itali-Serbi. /Telegrafi/


