Debat i ashpër, për dhe kundër “Pulsit Publik”? (Video)
Këto anketa me qytetarët tregojnë për top problemet kryesore, por debat më i ashpër u zhvillua mes këshilltarit të kryeministrit, Sokol Havolli, dhe Atdhe Hetemit nga UNDP.
Hetemi, menaxher i raportit “Pulsi Publik” në UNDP, tregon se niveli i besueshmërisë ndaj qeverisë dhe gjyqësorit është shumë i ulët. Mirëpo, Havolli tha se pjesa më problematike dhe joprofesionale e këtij raporti është se është realizuar gjatë shtatorit që kurrë deri më sot nga UNDP nuk është bërë.
“Raporti nuk e përfaqëson periudhën gjashtëmujore por vetëm periudhën kur janë realizuar anketat. Ka edhe aspekte tjera metodologjike që lënë për të dëshiruar. Ne edhe në muajin gusht kemi marrë vendime të vështira, siç janë Gjykata Speciale, Asociacioni e shumë vendime jo shumë populiste. Interesant se si zgjidhet kjo periudhë kohore kur kemi marrë vendime të vështira. Pra, kjo anketë është edhe benzinë që i hedhet zjarrit”, ka thënë Havolli.
Hetemi, duke iu referuar deklaratave të Havollit, tha se ai po e konteston kredibilitetin dhe metodologjinë e bërjes së këtij raporti, ndërsa theksoi se në të kanë punuar ekspertë ndërkombëtarë. Ai potencoi se UNDP ka traditë të gjatë me këto raporte dhe nuk është hera e parë që bëjmë anketa.


