Dalja nga ky kolaps politik
Dihet se në kushtet dhe situatën në të cilën ndodhet Kosova (pas prishjes së koalicionit LDK-PDK), idetë e shumta vetëm sa e ndihmojnë zgjedhjen adekuate të situatës së krijuar e cila ndodhet në udhëkryqin institucional. Dhe për dalje nga kjo situatë, janë tri alternativa: Kthimi i ministrave të LDK-së në Qeveri dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike më 13 shkurt 2011; LDK, LDD, PDK, AAK dhe AKR, të japin konsensusin politik që të miratohet në Kuvend një qeveri provizore (apo Qeveri Teknike), deri në datën e zgjedhjeve, që të kemi zgjedhje të lira; ose zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në alternativën e parë, kthimi i ministrave të LDK-së në Qeveri dhe shtyrja e kohës edhe për tre muaj deri në zgjedhje kushtetutare, shikuar në parim, nuk kishte me qenë rasti i parë, pasi që edhe partia e PDK-së e bëri të njëjtin gaf politik, kur përmes telefonave e prishi koalicionin, mirëpo kur pa se akceptohet për kohën, u detyrua nën presionin e ndërkombëtarëve që ta tërhjek vendimin e marrë, gjë që edhe e bëri. Këtu u zbuluan elementet e njerëzve të pa pjekur që janë futur në politikë. Edhe në rastin kur po flasim, nuk është pjekuri politike të prishësh koalicionin tre muaj para zgjedhjeve përderisa deri më tani ishin në koalicion. Këtu shihet hapur se ka tendenca personale.
Në alternativën e dytë, partitë politike parlamentare si LDK, LDD, PDK, AAK dhe AKR, duhet të kishin dhënë elemente të dukshme (sidomos para bashkësisë ndërkombëtare), duke e trajtuar çështjen me një emancipim të politikës shqiptare duke ofruar rrugë për zgjedhjen e këtij ngërçi politik, si dëshmi se kanë aftësi dhe mund të zgjedhin në situata të tilla (e pse jo edhe më të rënda), probleme eventuale, duke e fiksuar situatën aspak dramatike dhe duke i hedhur me një anë interesat partiake dhe individuale. Në ballë të vihet interesi madhor i Kosovës, për të ju dhënë shkas edhe shteteve të tjera të cilat janë në pritje për njohjen e saj, dhe këtë veprim ta bëjë sa më parë. Këtu është dashtë të krijohej entuziazmi në mes forcave politike që do të ishte rasti i parë pas pavarësisë për marrjen e HAPIT POLITIK PROFESIONAL, duke reflektuar vullnet të madh për interesin, për stabilitetin dhe disiplinën politike dhe shtetërore. Kjo do të kontribuonte edhe gjeneratave të ardhshme politike, si porosi se si duhet gjetur konsensusi duke pranuar porositë, sugjerimet dhe këshillat që dalin nga gjiri i qytetarëve të Kosovës.
Në alternativën e tretë, për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, kjo vetëm sa kishte me rënduar situatën politike, sidomos Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), të Kosovës, i cili edhe për 13 shkurt nuk dihet se a do të munden me u përgatitë për zgjedhje. Afati zgjedhor për zgjedhje të jashtëzakonshme sipas Kushtetutës është 45 ditor, dhe në mungesë të organizimit të zgjedhjeve në kushte më në normale, do të ju mundësohet atyre të korruptuarve që të manipulojnë me zgjedhjet. Pastaj, cila do Qeveri e cila do të dal nga këto zgjedhje të jashtëzakonshme, mund të kontestohen nga partitë e pakënaqura për mbarëvajtjen dhe manipulimit të zgjedhjeve. Kjo vetëm sa do ta kishte me rënduar situatën edhe në kohën kur po flasim, por edhe pas zgjedhjeve. Prandaj kjo asgjë nuk do ti sillte të mira Kosovës, përkundrazi situata pas këtyre zgjedhjeve vetëm sa do ta komplikonte situatën dhe vendin do ta sillte prapë në zgjedhje të parakohshme apo zgjedhje të jashtëzakonshme.
E tërë kjo është një radhitje logjike, sipas parimeve të mundshme politike. Përndryshe do të vije në shprehje ngritja e vetëdijes politike qytetare si element shqetësues për të ju vu të keqes. Kjo për çdo ditë është më evidente për korrupsionin, krimin e organizuar, papunësinë, skajshmërinë e ulët sociale, skajshmërinë e lartë të të pasurve që janë në krye të institucioneve. Kjo qytetarin e ka bërë, të pakënaqur karshi sjelljes së politikanëve të Kosovës apo subjekteve politike. Instrumentet politike nuk janë duke u pritur mirë nga qytetari, e as nga qarqet ndërkombëtare, sepse korrupsioni i shkallës së lartë dhe krimi i organizuar i ka dëshpëruar të gjithë sidomos dashamirët e shumtë të Kosovës të cilët punuan dhe ende janë duke punuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Shikuar nga aspekti i ”arsyes” së prishjes së koalicionit LDK-PDK, mbase është banal, aspak parimor e që në përgjithësi shihen tendencat e interesave të ngushta individuale, ide që aspak nuk mbështeten nga qytetarët. Kjo duhet thënë se në kornizën politike të Kosovës, vërehen elemente pozitive për të tejkaluar paraqitjen e situatës së papritur politike, në mënyrë që të krijohen mundësi të dukshme politike, dhe të vihet në interes plani kombëtar, pavarësisht flijimit politik, që unë do të kisha quajtur, fitore politike por edhe kombëtare.
Beogradi do ta shfrytëzon këtë ngërç politik dhe do të manipulojë me fillimin e dialogut, pasi që në krye të institucioneve ndodhet vetëm një parti politike, PDK-ja, e cila tanimë nuk e ka mandatin që të zhvilloj kurrfarë bisedimesh me Serbinë. Kjo është një gabim i cili radhitet pas qindra-qindra gabimeve të kësaj qeverie. Serbia po shkon në përmasimin e marrëdhënieve politike me SHBA-të, kurse politika kosovare po e zbehë me vet faktin se Sekretarja amerikane të Shtetit, zonjës Klinton, gjatë vizitës në Kosovë ndër të tjera bëri apel për qëndrueshmëri politike, zhvillim ekonomik dhe fillimin e bisedimeve për çështje teknike me Serbinë. Kjo nuk ndodhi, dhe fatkeqësisht, zonja Klinton do të zhgënjehet, se pse nuk u vlerësua vizita e saj, kurse pala serbe e ka marr më seriozisht.


