Please enter at least 3 characters.

“Çifti Martin” pritet me duartrokitje të gjata në Euro-Scene

2016/01/f.1107220802753_m.jpg

Në premierën gjermane të kësaj shfaqjeje më 5 nëntor dhe në reprizën e saj më 6 nëntor, publiku i këtij festivali ka pritur dhe vlerësuar me duartrokitje të gjata aktorët Astrit Kabashi e Gresa Pallaska, harmonikistin Agon Xharra dhe regjisorin Bekim Lumi. Duartrokitjet e publikut gjerman i kanë rikthyer ata në skenë disa herë.

Festivali “Euro – Scene” është një festival ndërkombëtar i teatrit kontemporan, i cili me formatin, fizionominë dhe traditën e tij 20-vjeçare, zë një vend të rëndësishëm në hartën e festivaleve evropiane. Shfaqjet e këtij festivali, ashtu siç thuhet edhe në ueb-faqen e tij, janë një përzgjedhje e veçantë e dorëshkrimit artistik të regjisorëve dhe koreografëve të rëndësishëm të Evropës.

Ndërkaq, shfaqja “Çifti Martin” dhe regjisori Bekim Lumi kanë tërhequr gjithashtu edhe vëmendjen e shtypit gjerman. Në këtë kontekst, gazeta kryesore e Leipzig-ut, Leipziger Volkszeitung, në një faqe të plotë saj, krahas informacionit dhe fotografive të shfaqjes, ka botuar edhe një intervistë të gjatë me regjisorin Bekim Lumi, në të cilën ai ka shprehur pikëpamjet e tij për gjendjen aktuale të teatrit në Kosovë dhe për idetë e tij krijuese në fushën e teatrit.

Përveç pjesëmarrjes me shfaqjen “Çifti Martin”, regjisori Bekim Lumi, në cilësinë e njërit nga panelistët, ka marrë pjesë edhe në Simpoziumin “Pasazhet Lindje – Perëndim”, i cili në kuadër të Euro Scene Festival, është organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Teatror i Berlinit. Në këtë simpozium, në praninë e njerëzve të shumtë të teatrit nga vende të ndryshme të Evropës, regjisori Bekim Lumi ka bërë një paraqitje të detajizuar të gjendjes aktuale dhe të trendeve të teatrit në Kosovë, të fizionomisë, të vështirësive dhe të perspektivës evropiane të këtij teatri.

Shfaqja “Çifti Martin”, sipas tekstit të Eugene Ionescos dhe me regji të Bekim Lumit, është realizuar në nëntor të vitit 2008. Në të luajnë aktorët Astrit Kabashi e Gresa Pallaska, ndërkaq në harmonikë performon Agon Xharra. Në prill të vit 2009, “Çifti Martin” është prezantuar në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar Teatror, “Incontri Teatrali”, në Lugano të Zvicrës, ndërkaq në shtator të vitit 2009 në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Kamertal, në Strumicë të Maqedonisë dhe në nëntor të vitit 2009 në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Kosovë, në Prishtinë. Pjesëmarrja në Festivalin Euro – Scene të Gjermanisë, është paraqitja e katërt e kësaj shfaqjeje në një festival teatror me karakter ndërkombëtar. Ndërkaq, pas paraqitjes në Festivalin Incontri Teatrali në Lugano të Zvicrës, kjo është paraqitja e dytë e Teatrit Kombëtar të Kosovës në një festival teatror të përmasave evropiane.

“Sharmi, talenti dhe ekspresiviteti skenik i aktorëve Astrit Kabashi e Gresa Pallaska e kanë mrekulluar publikun gjerman, i cili me duartrokitje të gjata i ka rikthyer ata disa herë në skenë. Padyshim, pjesëmarrja në këtë festival, duartrokitjet dhe pritja e jashtëzakonshme e publikut të këtij festivali, përfaqësojnë një moment të rëndësishëm jo vetëm për aktorët e kësaj shfaqjeje dhe për mua si regjisor i saj, por përgjithësisht edhe për teatrin tonë, i cili vetëm përmes paraqitjeve të tij në ngjarjet dhe në festivalet e përmasave evropiane e botërore mund të bëhet më lehtë dhe më shpejt pjesë e natyrshme e trendeve dhe e standardeve artistike ndërkombëtare”, ka thënë regjisori Bekim Lumi. /Telegrafi/