Charalambous: Kishim një portier në formë, përndryshe mund të kishim pësuar më shumë gola
Pas humbjes 1-0 ndaj Shkëndijës në Shkup, trajneri i skuadrës rumune FCSB, Elias Charalambous, para mediave nuk e ka fshehur zhgënjimin për paraqitjen e ekipit të tij, njofton Telegrafi.
Ai përgëzoi kampionët nga Tetova për fitoren e merituar, por u shpreh i shqetësuar për gjendjen e skuadrës së tij për ndeshjen e kthimit.
“Nuk ishim në nivelin e duhur në këtë ndeshje. Pas duelit me ekipin nga Andorra kërkova reagim, bëmë një përmirësim kundër Petrolulit në kampionat, por sot sërish ramë në lojë. Çfarëdo që të them tani, nuk do të tingëllojë mirë. Nuk ishim ata që duhet të ishim. Fatmirësisht, kishim një portier në formë, përndryshe mund të kishim pësuar më shumë gola,” tha Charalambous.
Ai e pranoi se Shkëndija e meritoi fitoren dhe hodhi vëmendjen tek ndeshja e kthimit:
“Shpresoj që në ndeshjen e kthimit të tregojmë fytyrë tjetër. Duhet të mbajmë ritmin për 90 minuta. Nëse diçka nuk funksionon, ta korrigjojmë. Nëse humbim një rast, të mos dorëzohemi, por të reagojmë. Vetëm kështu mund të fitojmë. Nuk e kemi nënvlerësuar askënd. Jemi përballur me kampionin e Maqedonisë së Veriut dhe e kemi marrë me seriozitet këtë duel. Mos harrojmë që vetëm javën e kaluar humbëm ndaj një ekipi nga Andorra, kështu që askush nuk e mori lehtë këtë ndeshje.”
Ndeshja e kthimit midis FCSB-së dhe Shkëndijës do të zhvillohet më 30 korrik në Bukuresht. /Telegrafi/


