Please enter at least 3 characters.

Çështja e pranimit të futbollit mund të zgjidhet para ‘Rio 2016’ (Video)

2016/01/ccedil-euml-shtja-e-pranimit-t-euml-futbollit-mund-t-euml-zgjidhet-para-lsquo-rio-2016-rsquo-video_hd.jpg

Bach erdhi për të festuar pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në fund të vitit të shkuar, me çka i hapi rrugën sportistëve të Kosovës të marrin pjesë në garat ndërkombëtare dhe në Lojërat Olimpike.

Që nga takimi i tij me drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, udhëheqësit e federatave, sportistët dhe udhëheqësit shtetërorë, Bach, nuk e hoqi nga goja fjalën e tij për lindjen e një fëmije të ri, duke menduar gjithnjë për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Vizita e parë e një presidenti të KON-it në Kosovë dhe e para në 31 vjetët e fundit në Ballkan, ishte po aq e veçantë, sa edhe fakti që vetë presidenti, hoqi kollaren dhe veshi tutat sportive, për të vrapuar bashkë me rreth 500 fëmijë në mes të Prishtinës.

Bach u tregua modest dhe i hapur me të gjithë, duke folur edhe në një intervistë për Sportin Total në Kohavision, për pranimin e Kosovës në KON, sfidat e sportistëve kosovarë, mbështetjen e tij dhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike.

“Mbi të gjitha ne jemi shumë të lumtur që kemi një fëmijë të ri në lëvizjen olimpike, dhe ky fëmijë ka lindur pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës, të cilin tani ne duam ta ndihmojmë të rritet”.

“Kjo do të thotë që pas kësaj vizitës sonë, të gjithë anëtarët e KON-it të jenë të sigurt, se kanë marrë një vendim të drejtë kur kanë vendosur të njohin Kosovën. Në Kosovë që nga presidentja e deri te fëmijët e ndjen një ngrohtësi dhe një dashuri për frymën olimpike. Por tani sporti te ju duhet të luajë një rol më të rëndësishëm edhe në arsimimin tuaj dhe në kurikulën shkollore. Unë isha shumë i kënaqur për deklaratën e kryeministrit që mendon në të njëjtën mënyrë, dhe është i gatshëm ta ndihmojë këtë të ndodhë, dhe në anën tjetër është përkrahja e sportistëve, për të formuar një ekip të suksesshëm olimpik, në Lojërat e ardhshme olimpike në Rio 2016”, ka thënë Bach.

“Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të jetë në anën tuaj, dhe të Komitetit Olimpik të Kosovës. Ne do të ndihmojmë sportistët, me bursa olimpike, me mundësitë për përgatitje, do të ndihmojmë edhe trajnerët dhe çfarëdo tjetër ndihme që do të kenë nevojë. Pastaj do të shpresojmë, që vitin e ardhshëm në Lojëra Olimpike, i gjithë populli në Kosovë, do të shikojë me krenari, në ekipin e tyre olimpik, pasi Kosova do të paraqitet në skenën më të madhe të sportit në botë, së bashku me 204 shtetet e tjera dhe do të përcillet nga miliarda njerëz në televizor. Ky do të jetë një çast i veçantë, jo vetëm për sportin, por për tërë vendin tuaj”, ka shtuar Bach.

Pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, ka qenë njëri nga sukseset e para për presidentin e nëntë të këtij institucioni. Sukseset e Majlinda Kelmendit por edhe bisedat e gjata të krerëve shtetëror e sportivë të Kosovës, kanë ndikuar shumë në vendimin për ta pranuar Kosovën.

“Rasti i Kosovës, ka qenë shumë i rëndësishëm. Agjenda olimpike 2020 të cilën e votuan unanimisht në dhjetor të vitit 2014, në Monaco, e hapi rrugën pasi kjo agjendë olimpike, ka të bëjë me dialogun dhe shoqërinë, dhe me botën politike, kështu që kjo njohje është proceduar pas shumë konsultimesh dhe bisedimesh ndërkombëtare, dhe po ashtu Agjenda 2020, reflekton qartë, që ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi, dhe jemi të gatshëm ta përdorim autonominë që del nga sporti. Këto dy gjëra po bëheshin bashkë, që shkonin në favor të çështjes së Kosovës. Dhe kjo na bënë të lumtur”, tha Bach për KTV-në.

Një çështje ende e pazgjidhur, pavarësisht pranimit në KON, ka mbetur futbolli, që është peng i statutit të UEFA-së, që nuk do të pranojë federata të reja, përderisa Kosova të njihet nga Kombet e Bashkuara. Por Bach është optimist se çështja e futbollit do të zgjidhet vitin e ardhshëm.

“Ne e kemi diskutuar këtë çështje këtu në Kosovë, dhe jemi këshilluar që nga marsi i vitit të ardhshëm, do të ketë një zgjidhje, por pas kësaj vizite, unë do ta shfrytëzoj rastin, për të biseduar me zyrtarët e UEFA-së dhe të FIFA-së, për të parë se ku jemi. Më pas shpresoj shumë, që edhe futbolli do të ndjekë rrugën e federatave të tjera të pranuara, për çka ne jemi shumë të kënaqur me këtë ritëm, që është rezultat i atij vendimit në dhjetor të vitit të kaluar. Nuk ka kaluar madje as një muaj, që ju keni pasur një federatë të pranuar ndërkombëtarisht, dhe tani kanë mbetur vetëm edhe katër pa u pranuar. Unë jam shumë optimist se, para Lojërave Olimpike të vitit të ardhshëm, këto katër çështje do të zgjidhen”, tha në fund Bach.