Bugajski: Njohja e Kosovës nga Maqedonia ndihmon stabilitetin në rajon
Këto komente analisti Bugajski - i cili është angazhuar në fushatën e PDSH-së dhe do të jetë këshilltar i Menduh Thaçit - i bëri sot në Tetovë në një tribunë me intelektualë shqiptarë.
“Maqedonia gjendet në një fazë shumë të rëndësishme dhe ajo doemos duhet të integrohet në NATO dhe BE, andaj garniturën e ardhshme qeveritare e pret një punë shumë e madhe dhe me përgjegjësi. Maqedonia së shpejti do të bëjë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe me këtë do t’i dërgojë një mesazh të qartë Beogradit se ky shtet bën pjesë në sigurinë rajonale.”, tha Bugajski.
Lidhur me situatën e krijuar pas zgjedhjeve në Serbi ai tha se akoma është herët të dihet koalicioni qeveritar. “Mendoj se është shumë herët të dihet koalicioni i ardhshëm qeveritarë në Serbi. Kam dëgjuar thashetheme se Koshtunica, radikalët dhe socialistët do të krijojnë qeverinë e re. Nëse kjo ndodhë, politika ndaj Kosovës do të jetë ashtu si që ka qenë edhe gjatë viteve të kaluara dhe do të vazhdojë të bllokojë qasjen e Serbisë ndaj Unionit Evropian”, tha Bugajski duke shtuar se, “zgjedhja më e mirë do të ishte të formohet një koalicion demokratik që do ta kuptojë realitetin se Kosova është dhe do të mbetet e pavarur dhe që gradualisht do ta njoh këtë realitet”. /INA/


