Please enter at least 3 characters.

Botohet komedia “Kamberi dhe Lejla”, një dhuratë që Nexhip Menekshe i la komunitetit rom

Komedia “Kamberi dhe Lejla" i autorit të ndjerë Nexhip Menekshe emrin e të cilit sot e mban Teatri Rom në Prizren është promovuar të martën në 30-vjetorin e inskenimit të parë të kësaj shfaqjeje.

Vepra dramaturgjike që tani ka marrë formën e saj të shkruar në disa gjuhë, pos përkujtimit dhe dokumentimit të historikut të aktivitetit të Teatrit Rom në Prizren mundëson edhe prezantimin e autorit të ndjerë përtej kufijve të Kosovës.

Njëra prej iniciatorëve për botimin e kësaj komedie, Urma Menekshe ka theksuar se komedia “Kamberi dhe Lejla" përfaqëson shumë më tepër sesa thjesht një dramë, meqë është një pjesë e shpirtit dhe kujtesës së komunitetit rom.

“Kjo vepër është shkruar nga babai im para më shumë se 30 vitesh, dhe është vënë në skenë me aktorët romë, duke u bërë kështu një moment i rrallë i përfaqësimit artistik të komunitetit tonë në teatër”, ka thënë ajo.

Tutje ka sqaruar se kjo komedi është një përzierje e hollë mes ndjenjës dhe humorit, respektivisht një rrëfim që trajton konfliktin mes dy familjeve rome dhe ashkali, por që në thelb flet për dashurinë, përkatësinë dhe tejkalimin e urrejtjes përmes dashurisë mes të rinjve.

“Përmes kësaj vepre, babai im na la një pasqyrë të realitetit tonë, me të qeshura, me të qara, me tensione dhe pajtime. Ai tregoi se arti mund të jetë mjet për të shëruar plagë dhe për të ndërtuar ura”, është shprehur ajo.

Gjithashtu ka shtuar se për të ka qenë një përgjegjësi kujdesi për botimin e kësaj vepre.

“Botimi i saj nuk është vetëm një akt përkujtimi, por një mënyrë për të siguruar që fjala e tij të mos shuhet, por të vazhdojë të frymëzojë breza të rinj”, ka thënë Urma Menekshe.

Aktivisti rom Daut Qulangjiu që 30 vite më parë ka luajtur në këtë komedi ka vlerësuar angazhimin e gjeneratave të reja për dokumentimin e veprave dhe aktiviteteve të Teatrit rom në Prizren, por edhe të aktivistëve kulturorë.

“Është një moment shumë i mirë që dokumentohet edhe kjo dramë, e cila është luajtur në skenë në vitin 1995, derisa punën si Teatër e patëm nisur në fund të viteve të 80’ta, dhe në vitin 1992 është luajtur drama e parë rome në Prizren. Komedia në fjalë ka pasqyruar jetën e përditshme të komunitetit rom jo vetëm në Prizren po edhe më gjerë”, ka thënë Qulangjiu.

Sipas tij në saje të këtij botimi ruhet vepra e autorit të ndjerë Menekshe, duke mundësuar që të mbetet në arkivin e komunitetit rom dhe të qytetit të Prizrenit.

Recensenti i librit, Fatmir Menekshe ka theksuar se babai i tij i ndjerë është emër i njohur për komunitetin artistik rom dhe jo-rom në Prizren si aktor dhe dramaturg, por që nuk ka pasur fatin që t’i botojë veprat e tij.

“Ai është mjaftuar me faktin që shfaqja është pëlqyer nga publiku edhe nuk ka vazhduar me botim ose me përkthimin e tyre në gjuhë të tjera, siç bëjnë autorë të ndryshëm. Ne si fëmijët e tij po kemi dëshirë që në këtë formë edhe ta pasurojmë letërsinë rome, po edhe ta përkujtojmë emrin e atij si autor i letrave rome”, ka thënë Fatmir Menekshe.

Ai ka shtuar se kjo është drama e parë e tij e shkruar në vitin 1995, dhe se është një komendi e ndërtuar mbi realitete sociale që i flasin publikut edhe sot e kësaj dite.

“Ky publikim mundëson që libri të udhëtojë edhe jashtë vendit, meqë krahas gjuhës rome është përkthyer edhe në shqip, në gjuhën boshnjake, në gjuhën turke dhe në gjuhën angleze. Nexhip Menekshe ndonëse ka gjetur formulën e pavdekësisë, në këtë mënyrë do të depërtojë edhe në shtetet tjera për t’u njohur më mirë si autor”, ka deklaruar Fatmir Menekshe.

Para diskutimit në panel, pjesëmarrësit në promovimin e këtij libri kanë pasur mundësinë që të ndjekin edhe një intervistë të autorit të ndjerë të dhënë në vitin 1995. /Telegrafi/