Please enter at least 3 characters.

Berisha: Ferronikeli do të jetë “arrë” e fortë edhe në sezonin e ardhshëm

2016/01/berisha-ferronikeli-do-t-euml-jet-euml-ldquo-arr-euml-rdquo-e-fort-euml-edhe-n-euml-sezonin-e-ardhsh-euml-m_hd.jpg

Skuadra nga Drenasi sezonin e fundit bëri historinë, duke fituar titullin e kampionit si dhe duke mbrojtur trofeun e Kupës së Republikës së Kosovës.
Berisha, i cili ka dhënë kontribut të madh në sukseset e skuadrës nga Drenasi, në një intervistë për KosovaPress, është shprehur i lumtur më të arriturat e Ferronikelit. Ai mendon se të triumfosh në dy frontet, është një sukses tejet i madh në historinë 41 vjeçare të këtij klubi, por sipas tij, edhe për futbollin e Kosovës.
Berisha: Ferronikeli edhe në sezonin e ri do të luajë rol të rëndësishëm
Berisha thotë se suksesi i arritur në kampionatin e kaluar ka qenë sfidë e madh, sepse sipas tij, në fillim të sezonit Ferronikeli nuk ka pasur ambicie që të luftojë për titull të kampionit. Por, sipas Berishës, ambiciet e “Nikelit” u rriten falë një serie të suksesshme në fillim të sezonit dhe falë punës së madh që ka bërë shtabi teknik dhe gjithë lojtarëve të kësaj skuadre.

Kampionët në fuqi, tashmë janë në fazën përgatitore për kampionatin e ardhshëm. Berisha thekson se është i kënaqur që “Nikeli” ia ka dalë të ruaj bërthamën e skuadrës se sezonit të kaluar, por ai lavdëron edhe përforcimet e bëra. Sipas tij, skuadra e Gani Sejdiut edhe në edicionin e ri do të luajë rol të rëndësishëm në sezonin e ri.
“Pas përfundimit te sezonit, ne kemi vazhduar kontratën me trajnerin Gani Sejdiu dhe ka qenë mendim i përbashkët që ta ruajmë bërthamën e ekipit, atë ekip i cili u shpall kampion dhe këtë e kemi arritur që t’i ruajmë gjithë lojtarët, ndërsa në ato pika ku nuk kemi mundur t’i ruajmë lojtarët si rasti i Bujar Shabanit dhe disa tjerëve që janë larguar, kemi bërë disa përforcime siç është rasti i Ibrahim Pecit, Mevlan Zekës. Gjithashtu kemi bërë një përforcim për portier si Flamur Nezirin, një portier jashtëzakonisht cilësor. Mendoj se më këto përforcime dhe me ruajtën e bërthamës nga ekipa që është shpall kampion, mendoj se përsëri do të jemi një arrë e fortë për gjitha ekipet”, ka theksuar Berisha.
Ai mendon se sezoni i ri do të jetë më i “nxehtë”, sepse sipas tij, disa ekip janë përforcuar shumë si Besa, Hajvalia, Trepça ’89, por edhe Prishtina do të jetë aty.
Berisha: Rikthimi në Drenas, pikë e fortë për ne
Ferronikeli në kampionatin e ri nuk do ta ketë problemin e stadiumit. Për shkak të rinovimit të stadiumit “Rexhep Rexhepi”, ‘Nikeli” në edicionin e kaluar edhe si vendëse i ka luajtur në terren të huaj, por ky problem tashmë është zgjedhur, sepse stadiumi i Drenasit do të jetë i gatshëm për sfidat e sezonit të ri. Berisha thotë se rikthimi në stadiumin e Drenasit është një pikë e fortë e “Nikelit”, por ai kërkon nga lojtarët që duhet vazhduar më lojën e mirë pavarësisht se takimet si vendëse luhen në Drenas.

“Ne e kemi potencuar gjatë terë kampionatit se ndoshta një nga pikat, një nga motivet që i ka detyruar lojtarët shumë ka qenë pikërisht fusha, sepse gjithnjë kemi luajtur si mysafir dhe normal se më 29 gusht do të luajmë ndeshjen e parë në Drenas, ku stadiumi është rinovuar. Mendoj se është një pikë e fortë, por nuk duhet që tash të lirohemi dhe të themi se kemi fushën tonë, por loja jonë do të vazhdojë dhe të shpallemi përsëri kampion. Është vështirë që sivjet ta ruajmë dhe kësaj radhe do të themi nga fillimi se do të tentojmë, por në fund lë të fitojë më i miri. Ne do ta bëjmë punën tonë dhe mbetet ta shohim”, ka theksuar Berisha.
Berisha: E rëndësishme është të pranohemi në garat ndërkombëtare
I pari i klubit të Ferronikelit, ka folur edhe për mundësinë që skuadra e tij sezonin e ardhshëm të jetë pjesë e garave ndërkombëtare.
Kampioni i ardhshëm pritet të luajë në Evropë pasi që në muajin mars të vitit të ardhshëm, Kosova pritet që zyrtarisht të pranohet në FIFA e UEFA. Berisha thotë se është e rëndësishme që skuadrat tona të luajnë garat evropiane, e sipas tij, pak ka rëndësi se cila skuadër do ta nis aventurën e parë në arenën ndërkombëtare. Ai mendon se skuadrat tona akoma nuk janë në niveli e duhur për sfidat ndërkombëtare, por sipas tij, e rëndësishme është pjesëmarrja në dy-tri vitet e para.
“Fillimisht janë disa kushte që çdo ekip duhet t’i plotësojë në mënyrë që të licencohet në UEFA për të marrë pjesë në gara siç: janë kushtet financiare, struktura organizative, pronësia e klubit, e disa kushte tjera, ndërsa sa i përket kapacitetit mendoj se nuk do të jemi aq në nivel për të konkurruar, sepse i shohim ekipet e Shqipërisë ku shkojnë në gara, kalojnë dy-tri runde, por shumica e ekipeve i kanë lojtarët e huaj, sepse ekipet shqiptar më herët kur kanë pasur vetëm lojtarë vendor nuk e kanë kaluar asnjë rund, por tash po shkojnë deri tek fazat e grupeve. Mendoj se e mira është se do të pranohemi, të dalin të luajnë ekipet tona, rezultatet në vitet e para do të jenë në rend të dytë, mirëpo, mendoj se për vitet e ardhshme do të përforcohemi dhe krijojmë ekip që te jemi konkurrent. Më këto ekipe, më këta lojtarë nuk besoj se mund të jemi konkurrent, por e mira që në këto dy-tri vite të pranohemi dhe të luajmë”, ka pohuar Berisha.
Ai është i bindur se Ferronikeli në fund të sezonit të ardhshëm do të jetë të paktën në treshen e parë. /KosovaPress/