Bekim Fehmiu nderohet në Durrës me çmimin e karrierës
Aktori Enver Petrovci ka qenë ai që është ngjitur në skenën e këtij festivali për të pranuar çmimin për mikun e tij, aktorin Bekim Fehmiu. Me këtë ka nisur gara për “Gladiatorin e artë”, në të cilin konkurrojnë 26 filma nga mbarë bota. Në kategorinë “Vizione bashkëkohore”, juria qendrore, së cilës i prin regjisori kosovar, Isë Qosja, do të vendosë edhe për regjisorin më të mirë, aktorin dhe aktoren më të mirë, si dhe çmimin e kritikës.
Drejtoresha e këtij festivali, Anila Varfi, ka thënë se mbrëmja e së dielës, amfiteatrit të lashtë romak ia ka prishur qetësinë, nga e cila karakterizohet pothuajse gjatë tërë vitit.
“Një natë magjike ku do të garojnë filmat dhe ku janë bërë bashkë kaq shumë njerëz të filmit, që bashkojnë ëndrrat e tyre për të krijuar të bukurën”, ka thënë Varfi.
Në një tjetër kategori, të titulluar “Botë ballkanike”, do të shfaqen në garë 12 filma nga vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Turqinë. Çmimet që do të ndahen për këtë kategori janë “Filmi më i mirë i Ballkanit”, si dhe “Filmi më i mirë i audiencës”, për të cilin do të vendosë një juri e formuar nga dhjetë kinemadashës.
Mirëpo, festivali i Durrësit nuk do të ketë hapësirë vetëm për regjisorët e sprovuar. Për këtë arsye si pjesë e veçantë e këtij edicioni është konkurrenca për filmat e studentëve.
“Me këtë kemi dashur të krijojmë hapësirë për talentet e reja, për të promovuar ata”, ka thënë Varfi.
Tridhjetë filma të akademive të filmit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni janë pjesë e kësaj konkurrence. Në garë në këtë kategori janë edhe 4 filma të shkurtër nga Kosova, ndërkaq regjisori kosovar, Ismet Sijarina, njëri nga tre anëtarët e jurisë së kësaj kategorie, filmat e së cilës paraprakisht do të vlerësohen edhe nga vetë filmbërësit e kësaj kategorie.
Gjatë ditëve të festivalit do të shfaqen dhe tetë filma artistikë francezë jashtë konkurrimit në seksionin “Takimet e ngushta”, si dhe disa dokumentarë në seksionin “Dokumentari internacional”./Kohanet//Telegraf/


