Please enter at least 3 characters.

Bashkimi për ndarje

Politika dhe qeverisja në Kosovë kanë qëllim stabilitetin e jo progresin e mirëqenien sociale. Kur synohet paradigma e stabilitetit si qëllimi me i lartë politik, përparimi kolektiv mbetet mundësia më e ulët politike. Kjo paradigmë nuk është vetëm pranim i krizës por edhe vazhdim i saj. Nuk është zgjidhje e krizës por menaxhim i saj. Nuk na duhet stabilitet i krizës, por paqëndrueshmëria e krizës. Ky destabilitet nuk nënkupton kaos e trazira, por organizim dhe veprim demokratik. Destabiliteti i krizës është rruga e stabilitetit të progresit. Populli i Kosovës është lodh nga ky stabilitet i cili po e privon nga jeta normale. Çdo ngecje dhe regres arsyetohet me mosrrezikim të stabilitetit.

E keni parë se mosluftimi i strukturave paralele serbe, mosndëshkimi i korrupsionit e krimit të organizuar, mosrespektimi i Kushtetutës në përgjithësi nga mekanizmat ndërkombëtarë dhe vendës arsyetohet me mosprishjen e stabilitetit. Rasti me eklatant dhe i freskët është formimi i institucioneve të Kosovës. Me bekimin e ndërkombëtarëve u shkel Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit vetëm e vetëm që mos të shkohet në zgjedhje të parakohshme, se kinse po e futkan vendin në krizë politike e financiare. Nëse do të shkohej prapë në zgjedhje do të kishim prapë shtyrje të negociatave me Serbinë, gjë të cilën nuk e duan ndërkombëtaret e as Qeveria e Kosovës.

Jemi dëshmitarë se faktorët ndërkombëtarë me shumë se kurrë janë të interesuar që të bashkojnë spektrin politik karshi proceseve të dëmshme. Por, nuk janë vetëm ndërkombëtarët që e duan këtë bashkim gjithëpartiak: edhe partitë politike e duan një gjë të tillë. Pas zgjedhjeve dhe konstituimit të institucioneve, partitë politike zakonisht ndahen në parti pozitare dhe opozitare. Në Kosovë, edhe pse zyrtarisht ka pasur opozitë, faktikisht dhe praktikisht ka munguar ajo. Proceset e rëndësishme apo të dëmshme gjithmonë i kanë bashkuar të gjithë politikanët pa dallim partie. Bashkimi i tyre nënkupton të keqen politike, respektivisht ndarjen e Kosovës. Këta politikanë po bashkohen për ndarjen e veriut, e jo për bashkimin e Kosovës. Ky bashkim qëllimkeq i këtyre politikanëve mund të bëhet duke krijuar një grup gjithëpartiak negociator, apo duke e votuar të gjithë se bashku ndonjë rezolutë në Kuvend, që do të jepte dritën jeshile për fillimin e negociatave.

Pas konstituimit të institucioneve tona tashmë pritet që në javën e dytë të këtij muaji të fillojnë negociatat politike me Serbinë, që do të mbahen në Bruksel. Qeveria e Kosovës dhe e Serbisë tashmë i kanë emëruar shefat e delegacioneve. Delegacionit të Kosovës do t’i prijë Edita Tahiri, ndërsa delegacionit serb Borko Stefanoviq. Edhe BE-ja si ndërmjetëse e këtyre negociatave e ka caktuar Robert Cooper përfaqësues të saj. Të dy udhëheqësit e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë si dhe ndërmjetësi i BE-së janë zyrtarë të lartë politikë në qeveritë përkatëse. Ky është edhe një fakt shtesë që tregon se në këto negociata, përveç çështjeve teknike do të negociohet edhe për çështje politike. Pra, plani 6 pikësh i Ban Ki- Moon-it do të negociohet.

Ndërkombëtarët, duke i futur të gjithë në një “thes” kanë për qëllim që të pamundësojë dhe evitojnë çdo zë kundër proceseve negative. Këtë e kanë bërë në negociatat e Rambujesë dhe Vjenës, duke krijuar “grupe të unitetit”, të njëjtën gjë duan ta bëjnë edhe në negociatat e Brukselit. Idetë e Serbisë bëhen agjendë e qarqeve ndërkombëtare. E, agjenda e ndërkombëtareve bëhet parim dhe prioritet i partive politike dhe institucioneve tona. Shtrohet pyetja: pse vullneti i popullit nuk përfaqësohet nga partitë politike e as nga institucionet? Sepse politikanët e kanë humbur kontaktin me popullin dhe nuk i frikësohen popullit.

Partitë politike mëtojnë se dallojnë në programe e qëllime, por pas zgjedhjeve, ato veprojnë njësoj dhe pajtohen për çdo gjë mes vete. Nëse këto parti nuk gjejnë gjuhë të përbashkët, kjo ndodh jo për proceset e dëmshme politike, por për poste të rëndësishme publike. Partitë politike sado që mundohen t’i shpërfaqin dallimet e tyre, ato kanë një të kaluar të njëjtë. Keqqeverisja, korrupsioni dhe negociatat me Serbinë e përbëjnë kornizën politikëbërëse të tyre. Duke e pasur parasysh të kaluarën negative të partive politike nuk mund të shpresohet për një të ardhme pozitive të tyre.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është organizata e vetme politike, e cila që nga themelimi i saj ka qenë konsistente në parimet dhe programin politik, përkundër të gjitha pengesave prej me të ndryshme të pushteteve të huaja dhe vendëse në vendin tonë. Askush dhe asgjë nuk ka mundur ta lëkund nga qëllimi i saj themelor për të qenë vullnet i popullit dhe mbrojtje të këtij vullneti. Kjo koherencë është arritur duke qenë këmbëngulës në raport me të gjithë faktorët kundër vetëvendosjes si koncept politik dhe bashkëpunues sistematik me popullin.

Deputetët e VV-së në Parlamentin e Kosovës nuk do të përfaqësojnë interesin e popullit vetëm në parlament, por edhe në rrugë. Pra, aty ku është populli deputetët tanë do të jenë në ballë të tyre. Për deputetët tanë zgjedhjet janë kontratë me popullin, ndërsa periudha pas zgjedhjeve është mirëmbajtje dhe realizim i saj. Bashkëpunimi dhe komunikimi me popullin duhet të ekzistojë në çdo kohë në çdo vend, e jo si partitë politike që e bëjnë këtë vetëm në fushata zgjedhore. VETËVENDOSJE!-a që prej themelimit ka mbajtur tubime sistematike me popullin e Kosovës në secilin qytet, fshat e lagje. Këto aktivitete do të vazhdojë t’i bëjë me qëllim që të njihet për se afërmi me hallet dhe problemet e tyre të shumta dhe, në ketë mënyrë, të mobilizojë qytetarët për ndryshimet pozitive që domosdo duhet të ndodhin.