Ballkani, vend i tregtisë së veshkave
Kriza financiare në Evropë ka shtuar rritjen e tregtisë së pjesëve të trupit të njeriut. Gjithnjë e më shumë në rajon, në internet, qarkullojnë reklamat rreth shitjeve të pjesëve të trupit, megjithëse ky lloj tregtie është i ndaluar.
"Jam i shëndetshëm, nuk kam asnjë sëmundje të trashëguar, grupi i gjakut 0+. Ofroj veshkën time për arsye financiare", lexohet në një reklamë në një portal boshnjak lajmesh, postuar në fund të qershorit nga Danijel S., 33 vjeç.
"Nëse shes veshkën ky do të jetë një investim për të ardhmen time. Jam i papunë, si unë edhe gruaja ime, dhe ne kemi një fëmijë të vogël. Me këto para mund të kem një jetë normale", tha ai për SETimes.
Historia e tij nuk është unike. Në shumicën e reklamave njerëzit deklarojnë vështirësitë financiare si arsyen kryesore për shitjen e pjesëve të trupit. Heqja e një veshke paraqet rreziqe të vogla për dhuruesin.
“The New York Times” solli në fokus çështjen e trafikimit të paligjshëm të organeve, kur raportoi për ndryshimin e tregut nga Lindja e Largët dhe Amerika e Jugut drejt Evropës, veçanërisht Serbisë, Kosovës, Greqisë dhe Moldavisë.
Edhe pse autoritetet në secilin vend kategorikisht e mohojnë mundësinë e transplantimit të paligjshëm të organeve, askush nuk e mohon se njerëzit mund të udhëtojnë diku tjetër për të bërë operacionin.
"Është e mundur që njerëzit të udhëtojnë jashtë vendit në mënyrë që të takojnë blerësin dhe ta bëjnë operacionin atje. Por, në Serbi kjo është e pamundur, për shkak të ligjit dhe për shkak të procedurave mjekësore, teknologjike dhe burokratike", tha për SETimes Danica Mihajloviç nga Drejtoria e Biomjekësisë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tregtia ilegale e veshkave është zgjeruar ndjeshëm në mbarë botën: është rritur në rreth 10,000 operacione në tregun e zi, apo një në orë. Vlerësimet e OKB-së janë se 5 për qind deri në 10 për qind të transplanteve të veshkave të kryera janë rezultat i trafikimit të organeve.
Shtatë kosovarë të akuzuar për pjesëmarrje në këtë tregti janë në gjykim, të akuzuar për joshjen e njerëzve nga ish-vendet komuniste në Prishtinë, me premtime të rreme pagesash deri në 15 000 euro.
Qytetari malazez Izet Luboder u arrestua vitin e kaluar për organizimin e një tregtie të organeve në Bosnjë e Hercegovinë.
Blerja dhe shitja e organeve është biznes i madh në vendin më të varfër të Evropës, Moldavinë. Veshkat e Moldavisë janë më të lirat në Evropë. Sipas OJF-së, Fondacioni i Veshkave që lufton trafikimin e organeve në Moldavi, një veshkë kushton 1500 deri në 5000 euro.
Vitin e kaluar, gazetarët rumunë zbuluan një rrjet shitësish dhe blerësish organesh në mesin e profesionistëve të mjekësisë dhe disa spitaleve më të mira. Çmimi i një veshkë rumune është rreth 13 000 euro.
Jo gjithkush mendon se tregtia e organeve duhet të jetë e paligjshme.
Gjukan D., 60 vjeç, shkoi në Indi në vitin 2000, ku ai bleu një veshkë dhe iu nënshtrua transplantimit.
"Unë ia detyroj jetën time atij djali", tha Gjukan për SETimes.
Ndërsa tregtia e paligjshme e organeve është në rritje, organet ligjore janë në numër të vogël. Këshilli Holandez i Shëndetit vlerëson se rreth 95 mijë njerëz presin për një transplant të veshkave në SHBA, dhe 65,000 të tjerë në Evropë. OBSH vlerëson se plotësohet vetëm 10 për qind e kërkesës botërore për organe. /Telegrafi/


