Please enter at least 3 characters.

Anëtarët e Kryesisë pritën ambasadorin spanjoll, Jose Riera Siquier

2016/01/f.1009180415989_m.jpg

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës i kanë thënë diplomatit spanjoll se populli dhe institucionet e Kosovës presin nga Spanja të mbajnë qëndrim unik me vendet tjera të BE-së për pavarësinë e Kosovës.

Anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti, ka theksuar punën me intensitet që bën Kuvendi i Kosovës, deri dy ditë para zgjedhjeve të 17 nëntorit, për të plotësuar orarin e miratimit të ligjeve dhe, sidomos, të mos ketë vakum institucional në Kosovë.

“Zgjedhjet kemi vendosur t’i mbajmë për hir të forcimit të rendit demokratik, por ato edhe mund të mos i mbajmë fare nëse në çfarëdo mënyre ato e lëndojnë zgjidhjen e statusit të Kosovës, i cili duhet të jetë vetëm pavarësi për vendin”, ka sqaruar Hamiti.

Kuvendi e ka pranuar planin e Ahtisarit me kusht që ai të pranohet nga bashkësia ndërkombëtare dhe vetëm si i tillë mund të zbatohet në Kosovë, është shprehur i prerë ai, duke pohuar se vetëm asisoj i hapet rrugë edhe misionit të BE-së në Kosovë. Ndryshe nuk ka shans, ka thënë Hamiti, i cili pavarësinë e vendit e ka quajtur kusht ekzistencial të vetëvendosjes së popullit të Kosovës.

Në interesimin e diplomati spanjoll për gjendjen e sigurisë tash dhe në perspektivë, pash 10 dhjetorit, anëtari tjetër i Kryesisë, Xhavit Haliti, është shprehur i bindur se forcat e sigurisë në Kosovë kanë kapacitete ta mbajnë nën kontroll gjendjen, dhe e ka garantuar mysafirin se pjesëtarët NATO-s kanë kredibilitet të lartë në Kosovë. Por, nëse statusi zvarritet pas 10 dhjetorit, mund të priten tensione në rajon dhe mund të shtohet pakënaqësia e qytetarëve, e shoqëruar edhe me protesta në Kosovë, ka thënë ai.

Pyetjes së diplomatit spanjoll për gjasat që pas zgjedhjeve serbët dhe minoritet e tjera të marrin pjesë në Qeverinë e re të Kosovës, Hamiti i është përgjigjur që zgjedhjet mbahen sipas Kornizës Kushtetuese, e cila rezervon 20 vende për minoritetet (10 për serbët), kurse duke dalë në zgjedhje shtohet numri i deputetëve serbë dhe shtohet legjitimiteti i tyre përfaqësues.

Duke u bërë ftesë serbëve të dalin në zgjedhje dhe të mos e pranojnë rolin e monedhës politike të Beogradit, ai ka pohuar se janë paraparë edhe vende të garantuara për minoritetet edhe në ekzekutivin e vendit.

Anëtari i Kryesisë Hoti, i cili përfaqëson minoritetin egjiptian, ka pohuar se të gjitha minoritetet mund të lëvizin lirisht në gjithë territorin e Kosovës dhe se të gjitha ato, pos serbëve, e ëndërrojnë dhe angazhohen për pavarësinë e Kosovës. Hoti është shprehur i prerë se pavarësia e Kosovës duhej njohur që më 1999.

Ambasadori spanjoll në Beograd, Jose Riera Siquier, është shprehur se vendi i tij parapëlqen një zgjidhje të negociueshme nga të dyja palët dhe se si vend i BE-së është shumë i interesuar për zhvillime pozitive në këtë pjesë të Evropës.

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës i kanë thënë diplomatit spanjoll se populli dhe institucionet e Kosovës presin nga Spanja të mbajnë qëndrim unik me vendet tjera të BE-së për pavarësinë e Kosovës.