Akuzat për ‘listën e zezë’, flet Edi Rama
Edi Rama reagoi pas mesnate lidhur me akuzat e shumta për listën me 100 emra, që sipas tij, janë denoncuar si abuzues me pushtetin.
Rama pranon në status se emrat në listë janë një përmbledhje mekanike e emrave që janë nxjerrë nga komentet e ndjekësve në Facebook. Këtu, Rama thotë se ajo nuk është as ‘listë e zezë’ dhe as ‘listë shtrigash’.
Pyetja që i duhet bërë kryeministrit është të shpjegojë se çfarë është ajo listë, ç’kuptim ka dhe çfarë qëllimi fshihet prapa saj në të vërtetë.
Rama përpiqet t’i japë zgjidhje kësaj me argumente gjysmake. Ai shkruan se kjo listë nuk është opinioni i tij dhe as përpjekja e tij për të iniciuar një veprim administrativ ndaj dikujt. Për ‘tallavaxhinjtë e katundit politik e mediatik’, sikurse i quan, Rama përdor ‘moton’ e mandatit të tij të parë, s’keni parë e dëgjuar asgjë akoma, shkruan Lapsi.al.
Për të kuptuar sa Rama është bindur se ajo listë nuk duhej publikuar mjafton të lexosh shkrimin e tij të pas mesnate. Edhe pse përbalt 100 njerëz vetëm se skuadra e tij i ka përmbledhur nga komentet në Facebook, Rama fajin, edhe kësaj radhe si gjithmonë, kërkon t’a gjejë tek të tjerët dhe jo tek vetja.
Postimi i Ramës në profilin e tij në Facebook:
Për lulet mos me prek
Jam shumë i impresionuar nga reagimet e zhurmshme të luleve “Mos më prek” për emrat e zyrtarëve të rreshtuar në përmbledhjen e raportit të postimit Eksperienca Juaj Negative! Çfarë ka ndodhur që deri edhe opozita e vjetër dhe e re, qenkan alarmuar në pikën që të vënë kujën përmes vetë udhëheqësve të tyre?! Kësaj i thonë tamam, “Bir Selman i nënës kë të qaj më parë?!”…
Sidoqoftë po jap një sqarim për kë ka veshë të dëgjojë:
E para, emrat janë nxjerrë nga komentet e miqve të këtij rrjeti social, pra kanë qenë aty, në postimin prej ku janë përmbledhur dhe nuk janë as “listë e zezë”, as “listë shtrigash”, as kurrëfarë gjëje tjetër përveçse një përmbledhje mekanike që ka bërë Skuadra e Shënimeve.
E dyta, përmbledhja në fjalë nuk është as opinioni im, as qëndrim i imi, as qëllim për të hedhur hije mbi ndokënd apo arsye për të vepruar administrativisht ndaj askujt prej individëve në fjalë.
E treta, “lulet mos më prek” dhe gjithë tallavaxhinjtë e katundit politik e mediatik që qenkan kuturisur sot të vënë kujën për demokracinë në rrezik, i këshilloj të ruajnë energjitë se nuk kanë parë e as dëgjuar gjë akoma!
Platforma online e Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm PER SHQIPERINE QE DUAM, e cila do të hapet me fillimin e punës së qeverisë së re, do të jetë ferri i kujtdo që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm, jo vetëm duke u futur duart në xhepa po qoftë edhe duke u sjellë pa etikë me ta. Dhe nuk do të jetë një ferr thashethemesh digjitale nga qytetarë digjitalë që nuk tregojnë identitetin e tyre, po do të jetë ferri i një koalicioni të madh kundër tepsixhinjve, harbutëve dhe parazitëve që paguhen nga taksat tona dhe pa pikën e turpit abuzojnë sa herë u del në shteg njeriu i zakonshëm me hallin e tij!
Pa merak, gjithçka do të jetë morale, ligjore e transparente dhe ferri në fjalë do të jetë prej vërteti jo digjital, sepse boll u cfilit Shqipëria nga Tepsia dhe boll u pataksën njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, nga ferrat e administratës shtetërore që janë rritur prej çerekshekulli në lekurën e Shqipërisë./Telegrafi/


