Ambasadori i Kosovës në NATO, Astrit Zemaj, është pritur në një takim pune nga Shefi i Misionit të SHBA-ve në NATO, Scott M. Oudkirk.
Gjatë takimit, palët diskutuan çështje kyçe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Zemaj e cilësoi këtë takim si jashtëzakonisht të rëndësishëm, duke theksuar rolin e SHBA-ve si mbështetës dhe promotor i lirisë, demokracisë dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Ai vlerësoi gjithashtu praninë e trupave amerikane në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR-it, të cilat, sipas tij, për tri dekada kanë qenë garantues të stabilitetit në vend dhe në rajon.
Në fokus të bisedimeve ishin sfidat e sigurisë në Ballkan, bashkëpunimi strategjik dhe prioritetet për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe më gjerë.
Zemaj ritheksoi përkushtimin e Kosovës për integrime euroatlantike, duke vlerësuar miqësinë me Shtetet e Bashkuara si thelbësore për këtë proces./Telegrafi/