Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier është i ftuar sonte në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjini i cili do të tregojë nëse Amerika ka ndryshuar qëndrim për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
Për herë të parë, pas takimit të fundit Kurti-Vuçiq në Bruksel në kuadër të dialogur Kosovë-Serbi, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier tregon nëse Amerika ka ndryshuar qëndrim për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
A është plani franko-gjerman vazhdim i status quous?
A e parasheh marrëveshja Asociacionin?
A është kjo marrëveshja e fundit apo mund të ketë edhe marrëveshje tjera në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Kur sipas ambasadorit Hovenier Serbia do e njohë Kosovën?
Këto dhe shumëçka tjetër sonte në Debat Plus me Ermal Pandurin nga ora 20:30.
Ndryshe, të martën, Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për takimin e 27 shkurtit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në njoftimin e ZKM-së, thuhej se pas takimit bilateral me përfaqësuesin e lartë, Borrell, dhe emisarin e BE-së Miroslav Lajçak, u zhvillua takimi trilateral pas të cilit Kosova është treguar e gatshme të nënshkruajë “Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por është refuzuar nga Serbia.
Po ashtu, thuhet është arritur dakordimi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë.
Tutje thuhet se, edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit.
“Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhet tutje.
Po ashtu, thuhet se marrëveshja e arritur në këtë takim është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre.
“Marrëveshja, mes të tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare”.
Tutje thuhet se para fillimit të takimit zyrtar me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell, kryeministri Kurti realizoi një takim me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin bisedoi për pritjet nga takimi.
Kryeministri e falënderoi Escobar për mbështetjen dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut.
Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars./RTVD