Pas arritjes së marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për targat, ka reaguar sot ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori amerikan ka thënë se e vlerësojnë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi me arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Vlerësojmë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi në këtë marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja rrit sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve”, shkruan Hovenier.
Ndryshe, ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti është pyetur se a janë duke u përfshirë në mënyrë direkte Shtetet e Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut për të gjetur një zgjidhje, ndërsa tha se SHBA-të po bëjnë përpjekje maksimale dhe se janë në kontakt me Brukselin, transmeton Telegrafi.
“SHBA-ja dhe sidomos ambasadori Hovenier janë shumë të përkushtuar dhe të angazhuar në dialog. Roli i ambasadorit është gjithmonë konstruktiv, pozitiv, kreativ. Ai po bën përpjekjet maksimale, pra SHBA dhe sidomos ambasadori janë në kontakt me Brukselin”, ishte shprehur Kurti. /Telegrafi/
Appreciate the constructive approach and flexibility that resulted in this important agreement between Kosovo and Serbia. The agreement enhances security and advances efforts to normalize relations. https://t.co/cn0ZSaecZ7
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) November 24, 2022