Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, thotë se tërhiqet nga mbështetja për rekuritimin e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Sipas njoftimit për media, ambasada shprehet se është e zhgënjyer me vendimin e deputetëve të për mos-votimin e asnjërit prej kandidatëve të rekomanduar nga partneri zbatues i Projektit të Rekrutimit.
“Ambasada Britanike është e zhgënjyer me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të datës 28 shkurt, për mos-votimin e asnjërit prej kandidatëve të rekomanduar nga partneri zbatues i Projektit të Rekrutimit në pozitën e Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Dështimi i deputetëve të votojnë njërin nga kandidatët e rekomanduar, ka rezultuar me ri-shpalljen e konkursit për këtë pozitë. Andaj, ne publikisht njoftojmë se projekti ynë nuk do të mbështesë ri-përsëritjen e procesit rekrutues për pozitën e njëjtë të Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së. Ambasada Britanike është shumë e kujdesshme se si i shpenzon paratë e taksa-paguesve Britanikë. Ne nuk do të financojmë procese rekrutuese shtesë, kur nuk ka arsye përse ato të përsëriten përveç mungesës së vullnetit për të emëruar kandidatë të përgatitur”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Ambasada thotë se ky dështim në emërimin e njërit nga kandidatët e rekomanduar është në kundërshtim me Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.
“Kandidatët e rekomanduar ishin përzgjedhur përmes një procesi të mirë-strukturuar, profesional dhe meritokratik. Ata kishin plotësuar të gjitha kriteret dhe kishin treguar që posedojnë kompetencat e duhura për të ushtruar pozitën e Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së. Pavarësisht një procesi të tillë rekrutues transparent, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kishin votuat asnjërin nga kandidatët e rekomanduar. Ky dështim në emërimin e njërit nga kandidatët e rekomanduar është në kundërshtim me Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës. Ky vendim gjithashtu vë në dyshim qëllimin dhe vullnetin politik të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për emërime profesionale në pozita të larta drejtuese në institucione të cilat do të duhej të ishin të pavarura, dhe sektorë me rëndësi jetike për resurset dhe ekonominë e Kosovës. Në rastin e Komisionit për Ndihmë Shtetërore, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë emëruar pesë kandidatët e rekomanduar nga partneri zbatues, që tregon se kur ka vullnet, emërimet mund të bëhen bazuar në meritë”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/