Kulla Eiffel në kryeqytetin francez është mbyllur për vizitorët pasi një burrë është ngjitur në strukturën metalike.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e së hënës, por nuk dihet në çfarë lartësie ishte personi dhe cilat ishin motivet që e bënë të ngjitej në strukturën atraktive për turistët.
Një zëdhënës i policisë së Parisit tha se skuadra e zjarrfikësve, së bashku me një specialist për ngjitje ndërhynë në moment.
Sheshi nën kullën u evakuua, ndërsa turistëve u është thënë të shtyjnë vizitat e tyre. Edhe rrugët që rrethojnë pikën e referimit u bllokuan, përcjell oranews.tv.
Zyrtarët nuk kanë zbuluar informacione të tjera për incidentin duke mos dhënë detaje as për rihapjen e Kullës Eiffel.
Kjo nuk është hera e parë që një person ngjitet në ikonën ndërkombëtare të Francës, që vizitohet nga miliona turistë çdo vit.
Në vitin 2015, britaniku James Kingston u ngjit pa litarë mbrojtës dhe pa leje duke shmangur kamerat e sigurisë.