Site icon Telegrafi

Aliu: Me Strategjinë për Menaxhimin e Mbeturinave synojmë të arrihet një zhvillim i qëndrueshëm sipas normave evropiane

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se gjatë ditës së djeshme kanë marrë dy vendime shumë të rëndësishme nga Qeveria e Kosovës.

Aliu theksoi se ndryshimi i Ligjit për Automjetet është tashmë në dorën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës i cili do të jetësohet në të mirën e qytetarëve.

“Kemi marrë dy vendime të rëndësishme: Është miratuar nisma legjislative për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-132 për automjete. Ky projektligj është në harmonizim të plotë me legjislacionin e BE-së dhe parasheh që detyrimet për homologimin e mjeteve rrugore të reja dhe të përdorura të hiqen. Tanimë është në duart e deputetëve të Kuvendit të Republikës që ta jetësojmë këtë nismë ligjore që është në të mirën e përgjithshme të qytetarëve”, shkruan Aliu.

Ndërkaq, Aliu foli edhe për vendimin e dytë, të marrë në përputhshmëri me nenin 8 dhe 9 të Ligjit Nr. 04/L-060 për Mbeturin.

“Është miratuar Hartimi i Strategjisë (2021-2030), si dhe Plani i Veprimit (2021-2023) për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave në Kosovë, ku do të trajtohen të metat dhe kufizimet aktuale në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, duke i përcaktuar dhe realizuar katër objektiva strategjike e specifike për menaxhimin e integruar të mbeturinave, caqet dhe indikatorët për sektorin e menaxhimit, si dhe riciklimin e mbeturinave”, shkruan Aliu.

Ai tha se “Synimi jonë është që të arrihet një zhvillim i integruar dhe i qëndrueshëm mjedisor në harmoni të plotë me normat dhe standardet evropiane, pasi që besojmë se përmirësimi i sistemit te menaxhimit të mbeturinave në Kosovë është jetik për shëndetin publik, zhvillimin social dhe ekonomik të vendit”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version