Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në një konferencë për media, ka folur për problemet që ishin në terminalin doganor të Hanit të Elezit, ku theksoi se vendimi i Qeverisë për shpronësim të pronave, i hap rrugë zhbllokimit të një terminali privat doganor.
Madje, ministri Aliu ka akuzuar kompaninë private për vënie pengesash në prona private e në ato të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Ai theksoi se pengesat kanë qenë që nga 1 nëntori i vitit të kaluar, ku të gjithë transportuesit e mallrave kanë qenë të obliguar të kalojnë në rrugën që është gjobitur, duke iu kërkuar 40 euro për të hyrë në terminalin privat si mundësi e vetme për zhdoganim mallrash.
“Më 1 nëntor kemi marrë një ankesë nga agjentët doganorë lidhur me bllokimin e terminalit në Hanin e Elezit dhe kështu që transportuesit e mallrave kanë qenë të obliguar të kalojnë nëpër rrugën dhe janë gjobitur ku është kërkuar nga transportuesit të paguajnë 40 euro për t’u futur në terminalin privat atje. Dhe kjo ka qenë mundësia e vetme e tyre për me bërë zhdoganimin e mallrave respektivisht për me kaluar në atë terminal. Kështu nëse ata do të donin që të bënin zhdoganim në një terminal tjetër që kanë të drejt kudo në Kosovë, ata do ta paguanin vetëm atë 40 euro dhe kudo që shkojnë diku tjetër duhet të paguanin prapë një 40 euro tjetër. Ky bllokim i tillë ka krijuar një situatë ta pavolitshme për transportuesit e mallrave. Ka krijuar një precedent të keq ku një operator privat të bllokojë rrugën dhe detyron operatorët respektivisht transportuesit e mallrave të kalojnë domosdoshmërish nga një terminal i caktuar”, theksoi Aliu.
Aliu ka shtuar se me marrëveshje, pronari i pronave të privatizuara s’ka pasur të drejtë të bllokonte rrugën.
Ai deklaroi se AKP-ja ka hasur në pengesa në tri prona për t’i hequr bllokadat, për të cilat prona gjykata ka vendosur që t’i japë të drejtë operatorit privat, ta bllokojë pronën e AKP-së.
Këtë vendim të gjykatës, ministri Aliu e ka quajtur të çuditshëm.
“Kemi kërkuar nga AKP të bëjë menjëherë zhbllokimin e kësaj rruge, dhe kështu ky institucion pas kërkesës tonë ka filluar me bërë zhbllokimin, ku ndërkohë kanë hasur në një problem ku tri nga ato parcela të cilat janë nën menaxhim të AKP-së për to ka një vendim gjykate, ku gjykata i jep të drejt operatorit privat që ta bllokoj pronën e AKP-së. Ky ka qenë një vendim i çuditshëm i gjykatës për shkak se në këtë proces fare nuk ka qenë e përfshirë as AKP-ja… Kësisoj janë marrë vendimet e para për zhbllokim dhe përfundimisht ne kemi marrë vendim që përpos zhbllokimit të rrugës që ndodhi javën që shkoj, dje qeveria në mbledhjen e qeverisë kemi marrë vendim që të bëjmë shpronësimin e pronave të cilat janë aktualisht nën menaxhim të AKP-së. Kështu është e drejta ligjore që qeveria t’i shpronësojë drejtpërdrejt dhe t’i kthej në pronësi të shtetit dhe rrjedhimisht të eliminojmë çfarë do lloj mundësie për një bllokim të tillë”, theksoi ai.
Në këtë konferencë për media, ministri Aliu theksoi se sa i përket reshjeve të borës gjatë ditës së sotme, ministria të cilën e drejton ai, është e mobilizuar gjatë gjithë kohës me të gjithë operatorët ekonomik në terren për pastrimin e rrugëve. Kështu ai tha se të gjitha rrugët janë të kalueshme. /Telegrafi/