Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar sot në mbledhjen e grupit parlamentar në kryesinë e Kuvendit prioritetet e PD për sesionin e ri parlamentar.
Ai tha se prioritetet do të jenë të ndara në tre shtylla, përfshirë këtu reformën legjislative, mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe kontrollin parlamentar, raporton Telegrafi Shqipëri.
Për sa i përket Reformës Zgjedhore dhe Reformës Administrativo-Territoriale, Alibeaj tha se “për disa muaj Shqipëria do jetë përpara një tjetër përballjeje elektorale, në zgjedhjet vendore të 2023, që e bëjnë prioritet mbi prioritetet përmbylljen sa më parë të dy reformave tashmë të propozuara nga grupi parlamentar i PD, Reformën Zgjedhore dhe Reformën Administrativo-Territoriale”.
“Të dyja këto reforma janë thelbësore për mbrojtjen e interesit të qytetarëve. Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe një ndarje administrative që i përputhet nevojës për shërbime ndaj qytetarëve, janë parakushte që pushteti i ri lokal të jetë produkt i vullnetit të qytetarëve dhe në 4 vitet e ardhshme t’i përgjigjet vetëm interesit të qytetarëve. Edhe pse Reforma Zgjedhore dhe Reforma Administrativo-Territoriale janë prioritete të mbartura nga sesioni i shkuar parlamentar, ato do të vijojnë të mbeten prioritet absolut i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Të dy grupet e punës që janë ngritur brenda grupit parlamentar për këto dy reforma, do të konkludojnë brenda muajit Shtator me propozime konkrete, për të hapur më pas diskutimin publik dhe politik lidhur me to”, u shpreh Alibeaj.
Vëmendje, grupi parlamentar i PD-së i ka kushtuar reformës së dekomunistizimit të shoqërisë.
“Në periudhen 1945 – 1990, Shqipëria vuajti regjimin më të egër diktatorial komunist. Gjatë këtyre viteve, 26,768 burra dhe 7,367 gra ishin të burgosur politikë, ndërsa 5,577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë. Nga viti 1946 deri në 1990 u ndërtuan rreth 110 kampe të punës së detyruar, ku mijëra qytetarë shqiptarë u trajtuan si skllevër, duke përjetuar terrorin e regjimit diktatorial. Një popull që harron historinë e tij, është i dënuar ta përsërisë atë. Prandaj ndarja me të kaluarën jo të largët të vendit të tyre, është borxh dhe nderim për kujtimin e atyre qindra mijëra qytetareve që kaluan fëmijërinë, rininë apo gjithë jetën e tyre në internim, që u burgosën dhe vranë, që u presekutuan dhe vuajtën, thjesht sepse ata vetë apo prindërit e tyre mendonin dhe besonin ndryshe nga regjimi komunist”, ka thënë Alibeaj.
“Ende sot pas 3 dekadave, ndoshta edhe për neglizhencë të Partisë Demokratike, kemi dështuar të gjithë si shoqëri që të ndërmarrim hapa seriozë dhe të rëndësishëm për tu përballur me të shkuarën komuniste dhe për ti dhënë fund një diskutimi 32 vjecar, për të cilin kujtohemi sa herë interesi i ngushtë partiak e kërkon. Për këtë qëllim, katër iniciativat ligjore të Grupit Parlamentar të PD, si (1) hapja e plotë e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit; (2) ndalimi i simboleve të komunizimit; (3) lustracioni i plotë i jetës politike dhe publike; si dhe (4) krijimi i muzeve të kujtesës kolektive, janë nisma që do të jenë prioritet i yni”, tha Alibeaj.
Po ashtu, prioritet tjetër i grupit parlamentar të PD-së është lufta ndaj korrupsionit.
“Rreziku permanent në 32 vite poskomunizëm në Shqipëri është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Është korrupsioni që ka bllokuar zhvillimin ekonomik të vendit. Është korrupsioni dhe krimi i organizuar që ka bllokuar integrimin europian të Shqipërisë”, tha ai.
Në vëmendjen e grupit parlamentar të PD-së është dhe mbrojtja e interesit qytetar.
“Përveç Reformave legjislative, të cilat shërbejnë për të ndërtuar një Shqipëri të së ardhmes, në fokus të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ka qenë dhe do të mbeten edhe nevojat emergjente të qytetarëve shqiptarë. Aktualisht 3 janë çështjet prioritete në këtë drejtim: Paketa Ekonomike + Energjetike”, tha ai.
Gjithashtu, Alibeaj, theksoi se një ndër prioritetet e rëndësishme janë interesat kombëtare.
“Procesi integrimit ka kaluar në një tjetër fazë dhe do të duhet një kontroll më serioz dhe i saktë nga ana e Kuvendit. Ndaj do të ngremë një grup pune dhe propozime konkrete nga ekspertët për të ecur me ritmet e duhura në procesin e integrimit evropian. Integrimi evropian është prioritet kombëtar, dhe për të cilin duhet të punojmë çdo ditë, për ta çuar përpara dhe për të qenë sa më parë pjesë e familjes evropiane”, tha Alibeaj.
“Njëkohësisht do të angazhohemi në ndihmën për Kosovën dhe futjen e saj në institucionet ndërkombëtare, si dhe stabilitetin në Rajon, një proces që duhet të koordinohet jo vetëm në mënyrë bi-partiake, gjithëpërfshirëse, por veçanërisht në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Republikës së Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Ruajtja dhe forcimi i partneritetit strategjik me SHBA, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe, për grupin parlamentar të PD është prioritet në mbrojtje të interesit tonë kombëtar. Vendosja në një kurs përplasje të Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar me SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe, nuk do të ishte vetëm devijim nga misioni properëndimor i Partisë Demokratike që nga krijimi, por edhe një rrugë e sigurt për të çimentuar regjimin antidemokratik dhe anti-perëndimor të Edi Ramës”, tha ai. /Telegrafi/