Site icon Telegrafi

Alibaba po sjell rivalin e ChatGPT

Gjigandi kinez i teknologjisë Alibaba ka njoftuar se punon në inteligjencën artificiale (AI) të stilit ChatGPT të quajtur Tongyi Qianwen.

Alibaba synon të integrojë chatbot në të gjithë biznesin e saj në të ardhmen e afërt, por ende nuk ka detaje për afatin kohor. Në muajt e fundit, kompanitë e teknologjisë në mbarë botën kanë prezantuar të ashtuquajturat chatbots gjenerues të AI dhe në fillim të këtij viti Alibaba zbuloi se po punonte për një rival të ChatGPT.

Emri Tongyi Qianwen përkthehet si “kërkimi i përgjigjeve duke bërë mijëra pyetje”, por Alibaba nuk ka publikuar versionin anglez të emrit. Megjithatë, teknologjia funksionon në anglisht dhe kinezisht dhe do të shtohet në DingTalk, aplikacionin e komunikimit të biznesit të Alibaba.

Tongyi Qianwen do të kryejë detyra të ndryshme duke përfshirë konvertimin e bisedave të takimeve në shënime të shkruara, shkrimin e emaileve, krijimin e propozimeve të biznesit dhe të ngjashme, raporton bbc.

Alibaba do të integrojë gjithashtu teknologjinë në Tmall Genie, asistenti zanor i ngjashëm me altoparlantin inteligjent Alexa të Amazon.

Interesi për këtë lloj teknologjie u rrit pasi OpenAI prezantoi ChatGPT në nëntor të vitit të kaluar. Kjo teknologji mund të mësojë nga të dhënat ekzistuese dhe të krijojë përmbajtje, por edhe t’u përgjigjet pyetjeve duke përdorur “gjuhën njerëzore”. Ai gjithashtu mund të imitojë stilet e të shkruarit.

Microsoft investoi miliarda dollarë në zhvillimin e kësaj teknologjie, e cila u bë pjesë e motorit të kërkimit Bing në muajin shkurt. Ai gjithashtu do të integrohet në aplikacionet e Office si Word, Excel, PowerPoint dhe Outlook.

Google dhe grupi kinez Baidu gjithashtu njoftuan modelet e tyre të AI dhe prezantuan chatbot të ngjashëm.

Megjithatë, të famshëm nga bota e teknologjisë kanë bërë thirrje për ndalimin e zhvillimit të sistemeve të fuqishme të AI, sepse ata besojnë se mund të përbëjnë rrezik për njerëzit. Letra e hapur u nënshkrua nga shefi i Twitter, Elon Musk dhe bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak, të cilët pretendojnë se gara për të zhvilluar sisteme AI është jashtë kontrollit.

Banka e investimeve Goldman Sachs vlerëson se teknologjia e AI mund të zëvendësojë 300 milionë njerëz në punët e tyre.

Italia muajin e kaluar u bë vendi i parë perëndimor që bllokoi ChatGPT për shqetësimet e privatësisë. /Telegrafi/

Exit mobile version