Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka mirëpritur në zyrën e tij rock-këngëtarin e njohur nga Ferizaj, Mentor Haziri.
Bashkë me Mentor ishte edhe vëllai i tij, Fatlum Haziri, i cili është regjisor i disa prodhimeve kinematografike.
Shefi i Qeverisë së Kosovës publikoi në llogarinë e tij zyrtare në Instagram disa fotografi nga ky takim, ku edh ka marrë dhuratë me dedikim albumin e ri të Mentorit, i titulluar “Zani”.
Në mbishkrimin e fotografisë, Kurti shkroi se takimi me dy vëllezërit artistë ishte mjaft produktiv.
“Mentori dhe Fatlumi, dy vëllezërit Haziri artistë, këngëtar e regjisor, ishin në zyrën time. Mentori së fundmi ka nxjerrë albumin e tij “Zani”, me 7 këngë: Zani, Vajza e Vuthajve, Bajram Curri, Braktisun, Festa, Mara dhe Qëndro. Albumi është bashkëpunim me një ekip të talentuar irlandez të cilët janë të njohur në botën e muzikës. Në mes të bisedës së gjerë për artin te ne, atë e falënderova për kontributin e madh që e ka dhënë tash e sa vite për skenën tonë kulturore”, ka shkruar Albin Kurti në Instagram. /Telegrafi/