Albana sjell këngën e re “Merre Merre” – një urë mes traditës shqiptare dhe tingujve modernë
Artistja shqiptare–gjermane Albana ka publikuar këngën dhe videoklipin e saj më të ri, të titulluar “Merre Merre”, një projekt muzikor që sjell bashkimin e trashëgimisë shqiptare me rrymat më bashkëkohore të muzikës botërore.
Kënga është një kompozim origjinal i frymëzuar nga teksti i këngës tradicionale “Dil Moj Dil Të Daltë Rrënja”, të cilën Albana e ka rikrijuar si një përgjigje artistike.
Ajo kombinon elemente të muzikës tradicionale shqiptare me ritmet Dance, Soul, R&B, Pop dhe World Music, duke e vendosur një motiv folklorik të njohur në një dimension të ri e universal.
Në një deklaratë për projektin, Albana u shpreh: “Për mua, Merre Merre është më shumë se një këngë – është një urë mes rrënjëve tona dhe botës. Kam dashur ta sjell këtë këngë tradicionale në një dimension të ri, ku të rinjtë dhe publiku ndërkombëtar ta përjetojnë me të njëjtën emocion siç e kemi trashëguar”.
Videoklipi i këngës u publikua sot, në orën 16:00, duke shënuar premierën e një projekti që synon të prezantojë kulturën shqiptare në skenën muzikore globale përmes një shkrirjeje të guximshme mes traditës dhe modernitetit. /Telegrafi/


