Telegrafi

Alban Chela, Vesa Luma dhe Revolt Klan sjellin ripërpunimin e hitit të dikurshëm “Shtojzovalle”

DJ i njohur shqiptar, Alban Chela, grupi Revolt Klan dhe këngëtarja e talentuar shqiptare, Vesa Luma, kanë bashkuar forcat për një bashkëpunim.

Ata kanë sjellë një ripërpunim të këngës së famshme “Shtojzovalle”, e cila ka qenë një hit i dikurshëm i grupit Revolt Klan, i përbërë nga Bruno dhe Febi.

Kënga vjen në një version më ndryshe dhe veror, të modifikuar dhe përshtatur sipas stilit të muzikës së ditëve të sotme.

Ky projekt muzikor është publikuar në kanalin YouTube vetëm në versionin audio, shoqëruar me një video e cila shfaq pamje mahnitëse të bukurive natyrore shqiptare.

Vesa përndryshe ka pak kohë që është rikthyer nga Zelanda e Re, duke vazhduar në sjelljen e projekteve të reja muzikore, ndërsa grupi Revolt Klan gjithashtu po korrin sukses edhe në rrugë të ndara.

Bruno Pollogati sapo ka publikuar një këngë me Albërie Hadërgjonajn, e cila është pritur tejet mirë nga publiku, ndërsa Febi vazhdon të shijojë suksesin e grupit me Valbona Memën. /Telegrafi/