Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Twitter për akuzat mbi portin e Durrësit.
Sipas tij, bëhet fjalë për shpifje dhe poshtërsi në dëm të interesit të vendit.
Rama thotë se investimi është transformues jo vetëm për Durrësin, por për gjithë Shqipërinë dhe gjithë çfarë thuhet është provë se opozita më herët i ka bërë vetë ato “poshtërsi”.
“Synimi i këtij sulmi të dëshpëruar është pengimi i këtij investimi të madh transformues për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë, përmes intimidimit të një prej kompanive flamur të Emirateve të Bashkuara, të cilën e kemi sjellë me mbështetjen e Presidentit, Sheikh Muhammed Bin Zayed”, shkroi Rama në Twitter.
“Akuzat haluçinante kundër një kompanie ardhja e së cilës është përveç të tjerash një imazh i ri fitues i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, janë tallja e radhës me ata shqiptarë që akoma i ndjekin pas këta të shitur, pa fe, pa atdhe, pa din e as iman…”, shtoi ai. /Telegrafi/
Sulmi haxhiqamilist i Aleancës së Rublave dhe bedelave të saj kundër projektit të Portit Turistik të Durrësit është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit, ndërkohë që tërbimi shpifarak është prova se i kanë bërë vetë tërë pisllëqet që akuzojnë!
— Edi Rama (@ediramaal) November 11, 2022