Site icon Telegrafi

Aktakuzë ndaj ministrit Sveçla dhe tre deputetëve të LVV-së për hedhje të gazit lotsjellës

Arkiv

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, së shpejti pritet të dalin para gjykatës lidhur me akuzat se në mars të 2018-ës kishin ndezur gaz lotsjellës, me ç‘rast kishin pamundësuar mbajtjen e seancës plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jete ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me këtë thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryesi i së cilës , dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare.

Kryesi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Exit mobile version