Site icon Telegrafi

Aksioni i Policisë dhe Prokurorisë, ndalohen dy persona në Lipjan dhe gjenden armë të gjata e municion

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se si rezultat i veprimeve hetimore të ndërmarra nga Prokurori i Shtetit, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe gjykatën kompetente, nga bastisja e realizuar sot në tri lokacione në Komunën e Lipjanit janë gjetur e sekuestruar armë si dhe janë ndaluar dy persona.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se personat me inicialet B.B. dhe Rr.B, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Tutje bëhet e ditur se janë sekuestruar një AK-47 me 10 fishekë, karikatorë, një Pushkë e gjatë gjysmë-automatike, një pistoletë -Zoraki  (me gaz) dhe një pushkë e gjatë automatike.

“Personat me inicialet B.B. dhe Rr.B., me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, sipas KPRK-së, derisa ndaj të njëjtëve do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.

Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar për aksionin.

Në njoftim thuhet se bastisja është realizuar në tri lokacione të ndara, në dy fshatra të komunës së Lipjanit.

“Ky operacion pasqyron përkushtimin dhe  përpjekjet tona të vazhdueshme kundrejt armëve të zjarrit pa leje, për të garantuar sigurinë publike, për respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje publikut të raportojë çdo aktivitet të dyshimtë për të na ndihmuar në misionin tonë për të ruajtur paqen dhe sigurinë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version