Të hënën, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën, kanë zhvilluar një aksion në veri.
Gjatë kontrollit është zbuluar një laborator për kultivimin e kanabisit me mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur në treg ilegalisht.
Aksioni i policisë është ndërmarrë në afërsi të kufirit me Serbinë, përkatësisht në vendin e quajtur Izvor.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se gjatë këtij aksioni, zyrtarët e Policisë dhe Doganës janë gjuajtur me armë zjarri.
Ai tha se nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
“Përgjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material”.
“Ky është rezultat i vendosmërisë së madhe duke bërë kështu që çdo ditë e më shumë vendi ynë të çlirohet nga krimi. Ju lumtë Policia dhe Dogana e Kosovës!”, ka deklaruar Sveçla.
Ndërkaq, gjatë së hënës në Ferizaj, policia ka sekuestruar reth shtatëdhjetë (70) kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit Captagon- (heroinë) dhe disa paisje për përpunimin e saj.
Gjithashtu janë arrestuar dhjetë persona, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës ./Telegrafi/