Site icon Telegrafi

Aksioni në kampin e opozitës iraniane në Durrës, konfirmohet një viktimë

Pas aksionit në kampin e muxhahedinëve në Durrës, Policia e Shtetit ka reaguar për Euronews Albania duke konfirmuar se gjatë ndërhyrjes në kamp ka humbur jetën një person.

Policia mohon se vdekja e personit ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së forcave policore duke hedhur dyshime për një infarkt i zemrës.

Ndërkohë, gazetarja e Euronews Albania, Kloida Gjuzi ishte brenda kampit të muxhahedinëve, në brendësi të spitalit ku janë duke u trajtuar 36 persona që kanë mbetur të plagosur.

Në morgun e spitalit është konfirmuar se një person ka mbetur i vdekur.

Lexo po ashtu Aksioni në kampin e muxhahedinëve në Durrës, raportohet për një viktimë, policia e mohon lajmin

Një nga mjekët e spitalit ka folur për Euronews Albania.

“Sot në mëngjes u përballëm me një grup të madh të policisë shqiptare. Ata u përhapën në gjithë zonat e banimit, bënë presion te banorët dhe tentuan të marrin kompjuterët. Ata kanë përdorur këtë spraj me piper te njerëzit në mënyrë që t’i ndalonin për të bërë atë që po bënin, i dëmtuan dhe një prej njerëzve tanë ka vdekur për shkak të lëndës neutralizuese me piper. Banorët kanë pasur probleme me sistemin e frymëmarrjes. Në fakt, më shumë se 200 njerëz, gra dhe burra kanë mbetur të plagosur rëndë. Njëri papritur vdiq për shkak të problemeve të rënda me oksigjenin. 3 të lënduar rëndë i dërguam në një spital tjetër”, u shpreh mjeku.

Muxhahedinët janë opozitarë iranianë që prej dekadash luftojnë kundër regjimit të Teheranit dhe që kanë një vendstrehim të rëndësishëm në Manzë të Durrësit. /Telegrafi/

Exit mobile version