Ministria e Brendshme ka reaguar në lidhje me tensionet që ndodhën ditën e sotme në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit, ku për pasojë disa persona kanë mbetur të plagosur ndërsa një person ka humbur jetën.
Në njoftim thuhet se operacioni i sotëm i Policisë së Shtetit në vendqëndrimin e MEK është në zbatim të plotë të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qenë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë”, njofton Ministria.
Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit, shton ministria.
Ministria bën me dije se gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. /Telegrafi/